U promovua në një ceremoni të veçantë në Bankën e Shqipërisë, libri i radhës nga akademiku i njohur, Prof. Dr Anastas Angjeli, “Institucionet e Bretton Woods dhe Shqipëria”. Ky libër ofron një kolanë historike të ngjarjeve, shkaqeve dhe teorive ekonomike, të cilat i paraprinë krijimit të këtyre institucioneve. Krijimi i tyre u bazua në krijimin dhe fuqizimin e institucioneve demokratike, garantimin e stabilitetit ekonomik e financiar dhe mundësisë së lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, kapitaleve e ideve dhe së treti, garantimi i mbështetjes me kapitale të mjaftueshme financiare për të siguruar rimëkëmbjen nga krizat dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë.

Duke vlerësuar autorin mbi librin referoi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Adrian Civici dhe Zv/Rektori Nikollaq Pano dhe përfaqësues të Akademisë së Shkencave.   

“Ajo çfarë e bën këtë libër të veçantë, është fakti se autori i shikon të tria këto institucione si projeksione të një vizioni politik e human që synojnë rritjen e stabilitetit dhe zhvillimin në nivel global. Libri rendit në mënyrë të organizuar dhe të logjikshme marrëdhëniet ekonomike, financiare dhe ato politike që çuan në krijimin e rendit aktual botëror dhe sfidat me të cilat përballet ai’, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

“Libri “Institucionet e Bretton-Ëoodsit dhe Shqipëria”(FMN, BB, GATT-OBT), është një kontribut i rëndësishëm në analizën e këtij bashkëpunimi, i efekteve të tij në tranzicionin dhe realitetin shqiptar, i arritjeve dhe vështirësive gjatë marrëdhënieve në këtë periudhë, në kontributin e këtyre institucioneve në politikëbërjen dhe vendimmarrjen në lidhje me zhvillimet më thelbësore financiare, monetare, ekonomike e tregtare”, u shpreh rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Adrian Civici.

“Autori na tregon se zhvillim i qëndrueshëm do të thotë të mësosh të jetosh brenda kufijve të vetëm të një planeti, në mënyrë të drejtë dhe dinjitoze për të gjithë, pa shfrytëzuar deri në pikën e varfërimit sistemet natyrore, nga të cilat ne nxjerrim burimet dhe pa e tejkaluar kapacitetin e tyre për të thithur mbetje dhe mbeturina të krijuara nga aktivitetet tona. Ky libër është një punim që i mungon në shqip si literaturës historike, ashtu dhe asaj ekonomike të deritanishme dhe që jep një kontribut të vlefshëm në pasurimin e saj”, tha Nikollaq Pano, zv/rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.

Në mbyllje të kësaj ceremonie vetë autori, pasi foli për rrethanat specifike dhe ecurinë e shkrimit të këtij libri, falenderoi të pranishmit. Të gjithë patën mundësinë të marrin nga një kopje të librit të nënshkruar nga vetë autori, Profesor Dr. Anastas Angjeli.

Klan News