Në një shkrim të publikuar në një nga të përditshmet shqiptare, Arben Malaj i njohur për qëndrimin e tij kundër strategjisë politike të lidershipit rozë post zgjedhjeve, analizon produktin e e protestave dhe alibitë që kanë shoqëruar zhvillimin e tyre.

Një analizë e cila sheh në euforinë e protestës padurimin, për të ardhur në pushtet  të humbësve të zgjedhjeve që sikundër thotë Malaj tashmë sillen si fitimtarë.

Arben Malaj, anëtar i kryesisë së PS-së risjell edhe njëherë në vëmendje logjikën që udhëhoqi kundërshtarët e linjës zyrtare të partisë. Një logjikë që është kundër radikalizmit të PS-së, depersonalizimit të saj, klientelizimit apo drejtimit me pushtet absolut.

Malaj shkruan për udhëheqës pa votues, fitimtarë podiumesh, të cilët siç thotë autori u përdorën për të mbajtur gjallë grindjet brenda së majtës, për interesa pushteti personal.

Malaj përfundon analizën e tij duke ritheksuar jo për herë të parë se opozita parlamentare është një detyrim ndaj votuesve dhe mbështetësve të PS-së dhe se demokracia nëpërmjet institucioneve është më e qëndrueshme se fitore të ushqyer nga krizat ekonomike e që riprodhojnë kriza politike./tvklan.al