Pas Ben Blushit, një tjetër eksponent i spikatur i Partisë Socialiste pranon se kjo forcë politike dështoi në zgjedhje.
Arben Malaj, anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste, ka deklaruar në një intervistë për Radio Evropa e Lirë se tashmë forca më e madhe politike e opozitës duhet të respektojë statutin e saj.
Nuk mund ta anashkalojmë, ka thënë ai, se koalicioni i Partisë Socialiste nuk funksionoi si i tërë. Malaj pranon se kryetari Rama ka sjellë mjaft ndryshime në parti, por afro 20 ditë pas zgjedhjeve ai pohon se filozofia e kryetarit nuk funksionoi plotësisht.
Në fushatën për zgjedhjet e 28 Qershorit PS duhej të kish pasur më shumë bashkëpunim me aleatët e saj.
Anëtari i kryesisë thotë se ka patur edhe raste tensioni mes përfaqësuesve të partisë së tij. Tashmë sipas Malajt duhet të respektohet statuti i partisë.
“Në vitin 2005 socialistët në statutin e tyre përfshinë një klauzolë ku thuhet se në rast se Partia nuk fiton zgjedhjet mandati i kryetarit bie”.
Malaj nuk e konsideron një problem dorëheqjen e kryetarit të partisë pasi ai mund të rikandidojë sërish, por atë e shqetëson vakumi që krijohet dhe nevoja për zgjedhje të reja.
Së fundmi Arben Malaj nuk e ka fshehur dëshirën e tij për të marrë pjesë në garën për kryetarin e Partisë Socialiste./tvklan.al