Argjentina hodhi një hap të madh drejt kualifikimit në Botërorin e vitit 2026. Pavarësisht mungesave të shumta, mes të cilëve Lionel Messi dhe lamtumirës mes lotëve të Angel di Maria, kampionët e Botës nuk hasën vështirësi kundër Kilit. Argjentinës i mjaftoi pjesa e dytë e lojës për të thyer rivalët, me golat që mbajnë firmën e Mek-Alister, Alvarez dhe Paulo Dibala.
Kombëtarja që udhëheq renditjen e përgjithshme të FIFA-s zhbllokoi takimin pas 48 minutave, me mesfushorin e Liverpool që dërgoi topin në fundin e rrjetës pas krosimit të Alvarez.
Ishte ky i fundit që mendoi për golin e dytë, duke hipotekuar fitoren e argjentinasve. I mbërritur nga stoli, Dibala gjeti golin për të thelluar distancat me Uruguajn e vendit të dytë, për të forcuar kështu kreun e grupit të kualifikueseve të Kupës së Botës të Amerikës së Jugut.
Argjentina numëron 18 pikë dhe shkon e qetë për takimin e së martës kundër Kolumbisë. Fitore të rëndësishme regjistroi edhe Bolivia, 4-0 kundër Venezuelës.
Tre pikëshi i dytë për bolivianët në këto kualifikuese, të cilët shpresojnë tek një kualifikim historik në Botërorin që luhet pas dy viteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.
Klan News