Arjon Hasaj ka pranuar vrasjen e 33-vjeçarit Ramazan Mataj, ngjarje e ndodhur 3 ditë më parë në Dragoç të Shkodrës.

Përpara grupit hetimor, 29-vjeçari ka thënë se e vrau Matajn për shkak të lidhjes së i ndjeri kishte me motrën e tij, duke pretenduar se i kishte shkatërruar 2 martesa.

“Unë jam personi që e kam vrarë shtetasin Ramazan Mataj. Prej 6 vitesh ai kishte një lidhje me motrën tonë. Ramazani është personi që i ka prishur dy martesa motrës në 6 vitet e fundit. Ai këtë histori ia ka treguar shumë personave në fshat dhe më gjërë ndërsa është personi që divorcoi dy herë motrën tonë. Madje ka shpërndarë edhe disa video tek ish burri i dytë dhe tek njerëz të tjerë në fshat në momente intime me motrën. Unë hapa një llogari false në Instagram me emrin e një vajze dhe lashë një takim me Ramazan Mataj. Ai erdhi dhe aty e qëllova me armë zjarri. Më pas armën e fsheha disa metra më tutje nga vendi ku e vrava. Pas vrasjes jam larguar me biçikletë drejt banesës. Armën e kam patur në shtëpi prej disa kohësh. Motra ka disa kohë që nuk jeton në banesën tonë, jetonte në Shkodër“, ka deklaruar Arjon Hasaj, siç mëson nga burimet policore gazetarja e Klan Neës në Shkodër, Emi Kalaja.

Ndërsa vëllai i tij, Klinsman Hasa, gjithashtu i arrestuar nga policia nën akuzat se ka ndihmuar në krim, nuk ka pranuar faktin që ka patur dijeni apo të ketë bashkëpunuar për vrasjen e kryer nga vëllai i tij.

“Nuk kam patur asnjë dijeni për vrasjen që do kryente vëllai dhe nuk kam lidhje me atë ngjarje”, është shprehur ai.

Ramazan Mataj u gjet i vrarë në automjetin e tij “Mercedes-Benz” mëngjesin e 5 Janarit. Në makinë, policia i gjeti viktimës dy celularë, njëri prej të cilëve pa kartë, ku hetuesit gjetën mesazhe që vëllezërit Hasaj i kishin dërguar atij për ta nxjerrë në pritë.

/tvklan.al