Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, ka dalë sot në një konferencë shtypi për të kundërshtuar akuzat rreth skandalit të anulimit të ankandit për dhënien e të drejtës së transmetimit të ndeshjeve të kombëtares shqiptare. Zoti Duka nuk ka mundur të kundërshtojë asnjë prej akuzave, por ka mundur të rikonfirmojë me gojën e tij, se është bashkëpronar i TV Koha me pjesëmarrësin në këtë ankand, zotin Artan Take, mospjesëmarrja e të cilit u bë shkak për anulimin e ankandit.
Aleksandër Frangaj: “Zoti Artan Take, që dje u përfaqësua në emër të TV Arbëria, është ortak me ju në TV Koha?”
Armand Duka: “Personi në fjalë është aksioner në TV Koha dhe se sa aksione ka pastaj mund ti shohësh”.
Artan Take: “Unë jam kryetar i këshillit mbikëqyrës në TV Arbëria. Unë me TV Koha siç e dinë të gjithë kam një përqindje shumë të vogël”.
Franko Egro: “Zonja Çela, doja dhe opinionin tuaj për një çështje të fundit, gjatë prononcimeve të tij të njëpasnjëshme, gjatë gjithë ditës së sotme, drejtori i përgjithshëm i TV Klan u ndal edhe tek raportet e presidentit të FSHF, zoti Armando Duka, i cili është edhe një nga aksionerët e TV Koha, duke e lënë fare të qartë aludimin, se ndërhyrja e tij do të sillte marrjen e të drejtave televizive të përfaqësueses shqiptare të futbollit nga ana e TV Koha. Cili është opinioni juaj, sa të vërtetë ka në këtë mes?
Zana Çela: “Në të vërtetë nuk do të doja që të bëja prezente organikën e TV Koha përpara publikut, se s’më duket shumë interesante përpara publikut, megjithatë, për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj, mund t’ju informojë se zoti Armando Duka është njëri nga 9 aksionerët, e TV Koha”.
Prezantimi publik se Artan Take është bashkëpronar i TV Koha me Armando Dukën ka konfirmuar skandalin e ankandit të turpshëm, i cili u anulua vetëm pse zoti Take nuk kishte dokumentacion të rregullt, pra vetëm pse TV Koha nuk dot mund të fitonte. Kryetari i FSHF, në përpjekje për të dezinformuar publikun tha, se TV Klan nuk e kishte origjinale pagesën, gjë e cila ishte një mashtrim, pasi TV Klan kishte pagesën më të rregullt në ankand.
Armand Duka: “Në orarin e hapjes së ankandit u konstatua se TV Klan nuk kishte dokumentin origjinal të garancisë bankare”.
Aleksandër Frangaj: “Ja ku është edhe origjinali i pagesës”.
Tentativa për të manipuluar opinionin se FSHF ishte e interesuar për ta shitur sa më shtrenjtë është një tjetër e pavërtetë, sepse ishte vetë federata që vendosi çmimin 50 mijë euro, ashtu sikurse mund të vendoste sa të donte përpara se të fillonte ankandi.
Armand Duka: “Qëllimi i vetëm i shtyrjes së ankandit qoftë përsa informacion kam unë, qoftë për ju, qoftë për Telesportin dhe qoftë për TVA, ka qenë krijimi i mundësive për të krijuar të ardhura maksimale për FSHF”.
Ndërkohë që vetë Duka ka pranuar që në ankand ka pasur shkelje, por duke i konsideruar ato jo esenciale.
Armand Duka: “Ka vendosur të shtyhet për një herë tjetër dhe unë nuk e konsiderojë një shkelje esenciale”.
Duka ka deklaruar se TV Koha nuk ka paraqitur interes për këto ndeshje duke harruar që ndeshja miqësore Estoni-Shqipëri pas muaj më parë u transmetua vetëm nga TV Koha dhe fatin e mirë që të shohin kombëtaren që është e të gjithëve e patën vetëm banorët e Tiranës dhe rrethinave të saj. Kjo për shkak se të drejtën e kësaj ndeshje e kishte kompania Sport 5, e cila në atë kohë ia shiti këtë ndeshje TV Koha të Dukës, pasi bleu nga federata jonë që drejtohet nga Armando Duka dhe të drejtat e kombëtares sonë në Shqipëri.
Konfliktit të interesave në mënyrë të drejtpërdrejtë, Duka nuk ka mundur t’i japë shpjegime sot në konferencën e tij./tvklan.al
Gazetar: Rinaldo Bregasi