Armand Duka është rikonfirmuar presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Biznesmeni 47-vjeçar ka marrë 49 vota nga 65 të mundshmet, duke siguruar mandatin e tretë në krye të FSHF-së.

Armand Duka: “Duhet të filloj dhe të mendoj më shumë për të ardhmen. Duhet të filloj dhe të mendoj të realizoj ato që kam premtuar. Kuptohet që është një obligim shumë i madh të drejtosh Federatën Shqiptare të Futbollit, nuk është e lehtë. Futbolli shqiptar i ka problemet e veta, por unë mendoj që me mbështetjen e të gjithë anëtarëve të asamblesë, me të gjithë bashkëpunim të ngushtë me klubet, me komitetin e ri ekzekutiv, besoj se do të arrijmë ta çojmë përpara në këto katër vite. Në të njëjtën kohë, unë dëshiroj t’i falënderoj dhe t’i garantoj që kam mbajtur shënim vërejtjet e le të themi kundërshtarë nuk ka, po bashkëpunëtorëve të mi që ishin konkurrentë në këtë garë dhe do t’i implementoj ato vërejtje në punën time të katër viteve.”

Gazetari: “President, dita e parë e punës kur të ktheheni në zyrë do jetë ditë e zakonshme, apo ka ndonjë veprim të veçantë që do të bëni?

Armand Duka: “Unë nuk e konsideroj një ndërprerje pune, duhet të vazhdoj punën, sepse futbolli nuk pret, futbolli vazhdon, institucioni do të vazhdojë të funksionojë, por zyrtarisht do të jetë mbledhja e parë e komitetit ekzekutiv, si le të themi, një ditë ceremoniale apo zyrtare.”

Kandidati tjetër për president, Refik Halili, siguroi 15 vota, ndërsa ish futbollisti Rudi Vata vetëm një votë.

Refik Halili: “Unë e thashë edhe në fjalimin tim që mbajta në asamble që unë zgjedhjet do t’i njoh, sepse mua m’u dukën shumë shumë zgjedhjet normale dhe të pastra dhe përsa i përket pastaj mënyrës se si vazhdoi votimi, them që ishte një votim shumë shumë i sinqertë dhe i pastër. Njerëzit ishin të lirë.”

Gazetari: “Rudi i keni dhënë dorën kundërshtarit, fituesit?”

Rudi Vata: “Është normale, derisa futëm në garë, njëri do të fitonte, njëri do të humbte. Unë jam pjesë e garës. Shqipëria është vendi që duhet të zhvillohet, por shpresoj se presidenti aktual që sapo është zgjedhur të vazhdojë punën e tij. Sigurisht, duhet të ndryshojë modulin e punës. Nuk është se do jetë një punë e lehtë. Sigurisht që presidenti ka një përgjegjësi të madhe, po jam i sigurt që dhamë një sinjal pozitiv.”

Përmirësimi i infrastrukturës sportive është projekti kryesor në platformën e Armand Dukës për katër vitet e ardhshme, por pa harruar këtu rritjen e të ardhurave dhe zhvillimin e klubeve e futbollit shqiptar.

Modernizimi i stadiumeve dhe terreneve sportive ka qenë pika kryesore në fjalën e Ministrit të Sportit, Ferdinand Xhaferraj dhe i zv/presidentit të UEFA-s dhe FIFA-s, Angel Maria Vilar.

Të dy zyrtarët e lartë premtuan investim dhe mbështetje të mëtejshme për futbollin shqiptar.

Ministri Xhaferraj sqaroi se do të ndryshojë shumë shpejt modelin e menaxhimit të stadiumeve që nxiti investime në to.

I dërguari i institucioneve ndërkombëtare të futbollit Vilar ka vlerësuar si të mrekullueshme marrëdhëniet mes Ministrisë së Sporteve dhe FSHF-së.

Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme Zgjedhore e Federatës së Futbollit ka votuar edhe Komitetin Ekzekutiv për katër vitet e ardhshme./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe