Është arrestuar një person në fshatin Kus të Tiranës. Siç njofton policia, atij i janë gjetur armë zjarri, kallëpë tritoli, sasi municioni luftarak dhe granata. Ende nuk dihet se çfarë po planifikonte të bënte shtetasi me inicialet B.M, ndërsa vijojnë hetimet për rastin.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Kus”, nga Komisariati i Policisë Nr. 6. Sekuestrohen 1 armë zjarri pushkë, 2 krëhra dhe sasi municioni luftarak, 1 kallëp tritoli së bashku me fitilin përcjellës dhe kapsollën, 2 granata sulmuese, 2 ndezës unifikues granatash dhe 1 mjet prerës (thikë).
Vihet në pranga poseduesi i tyre. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas posedonte armë dhe sende të tjera të jashtëligjshme në banesën e tij, në Kus, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kus”. Gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasi B. M., banues në Kus, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 278/4 dhe 279 të Kodit Penal.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit B. M., në fshatin Kus, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pushkë, 2 krëhra dhe sasi municioni luftarak, 1 kallëp tritoli së bashku me fitilin përcjellës dhe kapsollën, 2 granata sulmuese, 2 ndezës unifikues granatash dhe 1 mjet prerës (thikë)”, thotë Policia./tvklan.al