Administrata tatimore do të mund të kontrollojë në kohë reale të gjitha hyrje-daljet apo përpunimet që kryhen me karburantin në rafineritë e kompanisë ARMO.
Drejtori i përgjithshëm i tatimeve, Artur Papajani, ka deklaruar se ARMO po vendos matësa bashkëkohorë në ambientet e saj, masë e cila garanton monitorimin dhe më pas përllogaritjen e saktë të detyrimeve tatimore.
Papajani shton se ARMO ka shlyer të gjitha borxhet që kishte ndaj administratës tatimore dhe po vijon punën.
Artur Papajani: “Prandaj duam të vendosim një kontakt online me këtë kompani dhe drejt asaj jemi. Ne po instalojmë atë pajise, e kemi detyruar këtë tatim-pagues, pajisje që në si administratë hetimore në çdo sekondë të dimë edhe kilogramin kur del nga kjo kompani. Njëkohësisht po brenda atij muaji që ne vumë në detyrë tatimpaguesit, u likuidua edhe qindarka e fundit e detyrimeve tatimore në buxhetin e shtetit.”
Kreu i tatimeve tha se këtë 9 mujor kompania ARMO ka paguar 22% më shumë akcizë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Rreth 2 javë më parë kjo drejtori vendosi të bllokojë aktivitetin e rafinerisë së ARMO-s në Fier, për arsye të mungesës së matësave dhe autorizim si tatimpagues akcizë./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro