A. Saliu 23 vjeç është arrestuar nga Komisariati nr. 5 në Kamëz pasi dyshohet se është autor i zjarrvënies së makinave me qira në rrugën “Donald Trump” në Kamëz.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj ka mësuar se në momentin e ngjarjes, Saliu ka qenë nën masën e sigurisë “arrest shtëpi” për akuzën e trafikimit të klandestinëve. Në momentin që ka ndodhur zjarrvënia, ai nuk ka qenë në banesën e tij, e cila ndodhet afër vendit të ngjarjes.

Policia njofton se dyshohet se ai ka djegur një automjet që ka qenë i parkuar në rrugën “Donald Trump” dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur dhe disa mjete të tjera.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se autorë të zjarrvënies në biznesin e makinave me qira janë 3 persona.

Pronari i makinave, E.H. kishte vetëm 5 ditë që kishte hapur biznesin e dhënies së automjeteve me qira. Dy persona janë konstatuar me shishe me lëndë djegëse benzinë që hyjnë dhe vendosin zjarrin.

Pista e parë e hetimeve mbetet ajo e konkurrencës. Hoxha është marrë në pyetje nga Komisariati Nr.5 ku ka deklaruar se nuk ka patur probleme me persona të tjerë gjatë kohëve të fundit.

E.H. është me precedent penal në fushën e narkotikëve. Por kjo nuk po hetohet nga efektivët, pasi pista kryesore ajo e konkurrencës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Njoftimi i Policisë:

– A. S., 23 vjeç, banues në Zall Mner, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme, ka djegur një automjet në një parkim në rrugën “Donald Trump”, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur edhe disa automjete të tjera. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se 23-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.


/tvklan.al