Për të katërtën natë radhazi, protestuesit pro-europianë u përleshën dhunshëm në qendër të Tbilisit me policinë. Mijëra manifestues sulmuan me fishekzjarrë policinë, që u përpoq t’i shpërndante me automjete ujëhedhëse.

Të paktën 40 protestues u dërguan në spital nga plagët e marra gjatë përleshjeve, ndërsa disa të tjerë u shoqëruan nga policia. Mes të ndaluarve është edhe Zurab Japaridze, një prej liderëve të opozitës.

Presidentja pro-europiane Salome Zurabishvili, e cila më herët paralajmëroi se nuk do të largohet nga zyra edhe pas fundit të mandatit këtë muaj, denoncoi rrahjen në mënyrë brutale nga policia të protestuesve të arrestuar.

Në një deklaratë për shtyp, Kremlini tha se protestat pro-europiane në Gjeorgji i përngjajnë një revolucioni të stilit ukrainas të nxitur nga perëndimi, ndërsa shprehu mbështetjen për qasjen e qeverisë ndaj protestuesve të cilët i quajti shkelës të ligjit.

Protestat shpërthyen javën e kaluar, pasi pro-rus kryeministri Irakli Kobahidze pezulloi deri në 2028-ën negociatat për anëtarësimin e vendit në BE, me argumentin se procesi po shkel dinjitetin e gjeorgjianëve.

Tv Klan