Për të disatën natë rradhazi, policia u përlesh me protestuesit në Gjeorgji, ndërsa më shumë se 200 persona u arrestuan. Për të shpërndarë turmën nga ndërtesa e parlamentit forcat e sigurisë përdorën uji dhe gaz lotsjellës. 113 oficerë policie mbetën të lënduar pas përleshjeve me protestuesit, të cilët hodhën fishekzjarre.

Fitorja e diskutueshme e “Ëndrrës Gjeorgjiane” në zgjedhjet parlamentare të vendit të 26 Tetorit, të parë gjerësisht si një referendum mbi aspiratat e vendit për t’u bashkuar me BE, ka shkaktuar demonstrata masive dhe bojkotimin e parlamentit nga opozita. Presidentja pro-perëndimore e vendit dhe opozita kanë akuzuar partinë qeverisëse për manipulim të votave me ndihmën e Moskës.

Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili bëri të ditur se disa njerëz ishin subjekt i dhunës sistematike pas arrestimit dhe transportimit në ambientet e paraburgimit. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe shefja e politikës së jashtme Kaja Kallas dënuan sërish dhunën e përdorur.

Kryeministri Irakli Kobakhidze i partisë në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” ka paralajmëruar opozitën se “çdo shkelje e ligjit do të përballet me ashpërsinë e plotë të ligjit”. Tensionet janë rritur prej muajsh në vendin prej 3.7 milionë banorësh midis partisë qeverisëse dhe kundërshtarëve që e akuzojnë atë për ndjekjen e politikave gjithnjë e më autoritare, anti-perëndimore dhe pro-ruse.

Kriza është thelluar që nga njoftimi se qeveria do të ngrijë bisedimet me BE-në për katër vjet, që shtyu  me mijëra demonstrues pro-BE të demostronin kundër këtij vendimi.

Klan News