Arrestimet e fundit në Kosovë dhe Shqipëri për terrorizëm dhe situata e krijuar ka bërë që shefi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Reshat Millaku ka zhvilluar një takim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Ai është pritur nga Eugen Beçi, Prokurori i cili firmosi 4 urdhër – arrestet për E.F., B.P., Xh.F. dhe M.H., të dyshuar si pjesë e një celule terroiste që drejtohej nga Kosova. Ata kishin objektiv një sulm terroist ndaj Kombëtares Izraelite të Futbollit dhe tifozëve të saj në stadiumin e Shkodrës.

Takimi ka zgjatur për më shumë se një orë dhe mësohet të jetë diskutuar mbi detajet të hetimit, fazën në të cilën ndodhen e ecurinë e tyre, si dhe personat të cilët dyshohet se janë të përfshirë në këtë celulë. Takimi ka qënë mjaft hermetik mbi detajet se çfarë është diskutuar konkretisht, kjo edhe për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Në Kosovë u arrestuan 18 persona dhe u seksuestruan disa kilogramë eksploziv i një lloji shumë të fuqishëm, armë, mjete komunikimi, si dhe një dron. Ndërsa në vendin tonë pati katër të prangosur, si dhe qindra të shoqëruar.  

Si për Prokurorinë e Kosovës dhe atë shqiptare, kjo celulë ende nuk quhet e shkatërruar, pasi të dyshohet të jenë përfshirë dhe të tjerë persona. Për këtë po mbahen në survejim në të dy vendet, dhjetëra të dyshuar.

Tv Klan