Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama pas arrestimit të ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja. Sipas Berishës, të dhënat implikojnë direkt kreun e qeverisë.
“Sot jam para jush për të kërkuar publikisht dorëheqjen e menjëhershme të kreut të krimit të organizuar shqiptar në pushtet, Edvin Kristaq Ramës, i cili është autor kryesor i ndërtimit me angazhimin e tij direkt të piramidës më të madhe të krimit në Europë, piramidës më të madhe shtetërore të krimit në Europë. Zonja dhe zotërinj, të dhënat e bëra publike sot nga mediat për ish-deputetin kriminel, Çyrbja, implikojnë direkt kreun e qeverisë së krimit, Edi Rama. Sepse është direkt Edi Rama njeriu që ka ngrënë dardhat e Çyrbjes”, tha Berisha.
Sipas Berishës, nga komunikimet në Sky rezulton se Rama dhe McGonigal kanë porositur krime kundër opozitës.
“Çyrbja nuk është peshku i madh. Jo, jo! Peshqit e mëdhenj janë sipër fare. Peshkaqeni është Edi Rama. Sepse i dëgjoj sot Çyrbja në Sky ECC ka thënë këto dhe ato, por sot është e faktuar e vërtetë në dritën e diellit se Edi Rama me kriminelin McGonigal, me Sky ECC ka porositur krime kundër opozitës. Se Edi Rama ka patur jo 1 por më shumë se 1 telefona të koduar. Sot është e faktuar dhe mediat belge e kanë bërë publike emrin e tij si një bashkëpunëtor i bandave më të rrezikshme shqiptare në Europë dhe në botë”, tha Berisha./tvklan.al