Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka komunikuar zyrtarisht arrestimin e kryebashkiakut në detyrë të Bashkisë Himarë, Jorgo Goros. Përmes një njoftimi, SPAK bën të ditur se ka kërkuar caktimin e masën “arrest në burg” për Jorgo Goron si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim 2 herë.
Bashkë me të, nën hetim janë marrë edhe 4 persona, njëri prej tyre në arrest në burg, pronari i pronës dhe 3 të tjerët në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Për këta të fundit, SPAK ka ngritur dyshimet se kanë falsifikuar dokumente duke përfituar në kundërshtim me ligjin.
Prokuroria e Posaçme thotë se Goro bashkë me Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, kanë përcjellë në insitucione të tjera dokumentet të falsifikuara duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit. Masa e sigurisë ndaj tij u ekzekutua gjatë orëve të pasdites nga policia.
“Nga analiza e provave të marra deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se Jorgo Goro në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, në dy episode të ndryshme ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë dhe pasojën kriminale në kuptim të dispozitës për të cilën hetohet”, njofton SPAK.
Ndaj Goros u verifikuan dy kallëzime penale, një prej të cilëve u hetua fillimisht në Prokurorinë e Vlorës dhe një tjetër u bë nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, i cili është në burg, i dënuar për korrupsion zgjedhor. Të dy kallëzimet u bashkuan në një të vetëm nga hetuesit e SPAK në Shtator 2023.
Rasti i parë për të cilin akuzohet Jorgo Goro:
Sipas Prokurorisë, Jorgo Goro në bashkëpunim me Drejtorin e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës të Bashkisë Himarë me iniciale J.B., pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat. Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të personave përgjegjës, Drejtorit të ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë me iniciale B.A dhe Juristit pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë me iniciale V.GJ. është tjetërsuar në favor të një subjekti privat, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të. Ky tjetërsim është shoqëruar me përftim material të padrejtë për shtetasin tjetër nën hetim S.M. Aktualisht kjo sipërfaqe tokë bujqësore rezulton e sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Rasti i dytë për të cilin akuzohet Jorgo Goro:
Gjithashtu, Jorgo Goro në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, në një episod tjetër objekt hetimi i të njëjtit procedim penal, ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë dhe pasojën kriminale në kuptim të dispozitës penale. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin tjetër nën hetim J.B., ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit. Shtetasi nën hetim ka tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila rezulton të ketë shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi të dyja sipërfaqet në fjalë të cilat janë kufitare (10.592 m2). Në këto rrethana shtetasit J.G. dhe J.B, dyshohen për kyerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.
Ndërsa shtetasit B.A. dhe V.GJ, përkatësisht Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes) dhe Jurist pranë kësaj drejtorie (në kohën e ngjarjes), me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë pranuar dokumentacionin ligjor, përpunuar këtë të fundit dhe lëshuar një vërtetim nga dokumentat hipotekorë, pa kryer asnjë verifikim ligjor apo në terren nga ato që ligji i detyron, duke kryer në këtë mënyrë regjistrimin fillestar të një pasurie të paluajtshme në pronësi shtet, të llojit tokë buqësore, me sipërfaqe 5512 m2, në favor të shtetasit F.M. dhe më pas të trashëgimtarëve të tij. Kjo pasuri, siç ka rezultuar nga hetimi paraprak deri në këtë fazë, buron nga dokumenta tërësisht të falsifikuara. Në lidhje me këto veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të kryera në bashkëpunim, këta shtetas dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
Në lidhje me shtetasin tjetër nën hetim S.M., nga hetimi deri në këtë fazë, ka rezultuar se ky i fundit, ka përdorur më shumë se një herë, pranë disa institucioneve por edhe organeve proceduese, dokumenta dhe formularë të falsifikuar, veprime këto që më pas kanë sjellë edhe regjistrimin fillestar në emër të F.M. (trashëgimlënës) të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5512 m2, ndodhur në Dhërmi, Vlorë. Pas regjistrimit të pasurisë në emër të trashëgimtarëve, mes të cilëve dhe shtetasit nën hetim, është vijuar me transaksionet të cilat kanë konkluduar në regjistrimin e pronës në emër të shoqërisë private me përfaqësues shtetasin A.G., duke sjellë njëkohësisht edhe përfitim material të padrejtë për shtetasin nën hetim S.M. Në këto kushte, dyshohet se ky i fundit ka konsumuar elementët e veprës penale të “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal, dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodi Penal.
MASAT E SIGURIMIT:
1. “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim J.G., me detyrë Kryetar i Bashkisë Himarë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.
2. “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim J.B., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.
3. “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim B.A., me detyrë Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
4. “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim V.GJ., me detyrë Jurist pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
5. “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim S.M., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka ekzekutuar ditën e sotme masat e sigurimit të caktuara me vendimin nr. 31, datë 23.03.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj tre personave të hetuar Jorgo Goro, B.A. dhe V.GJ., në kuadër të këtij procedimi penal, ndërsa për dy personat e tjerë masat e sigurimit personal nuk janë ekzekutuar ende.
/tvklan.al