Kryebashkiaku në detyrë dyshohet se ka “shpërdoruar detyrën”

Kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro u arrestua këtë të shtunë me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste.

Në rastin e parë, sipas SPAK, Goro bashkë me Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, Jerasimo Bashi, ky i fundit me masë arrest shtëpie, kanë përcjellë tek institucione të tjera dokumente të falsifikuara për një pronë mbi 5 500 metër katrorë në Dhërmi, pa kryer verifikime, duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit.

Edhe në rastin e dytë, të dy ata referuar Prokurorisë, kanë zhvendosur në terren një sipërfaqe tokë bujqësore mbi 5 mijë metër katrorë, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.

Më pas, kjo pronë është shitur tek të tjerë dhe zhvilluar duke u dhënë edhe një leje ndërtimi për një kompleks turistik. SPAK lëshoi masën e sigurimit “arrest në burg” edhe për shtetasin Stavri Mëhilli, që sipas hetuesve ka përdorur në disa raste dokumente të falsifikuara për regjistrimin e pronës shtet dhe e cila më pas është tjetërsuar dhe shitur te privati.

Ndërkohë në “arrest shtëpie” janë lënë ish-drejtori i ASHK Vlorë, Bilbil Aliaj dhe ish-juristi në këtë institucion, Vezir Gjikoka.

Masat e sigurisë, u ekzekutuan këtë të shtunë për dy të fundit dhe Jorgo Goron, teksa ish-zyrtari i Bashkisë, Jerasimo Bashi dhe shtetasi Stavri Mëhilli u shpallën në kërkim.

Ndaj Goros u verifikuan dy kallëzime penale, një prej të cilëve u hetua fillimisht në Prokurorinë e Vlorës dhe një tjetër u bë nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, i cili është ne burg, i dënuar për korrupsion zgjedhor.


TË HETUAR NGA SPAK

Jorgo Goro, “Arrest në burg”

Stavri Mëhilli, “Arrest në burg”

Bilbil Aliaj, “Arrest në shtëpi”

Vezir Gjikoka, “Arrest në shtëpi”

Jerasimo Bashi, “Arrest në shtëpi”


Tv Klan