Policia e Lezhës sekuestron 21 kg kanabis sativa
Dy persona janë vënë në pranga, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim nga Policia e Lezhës pasi po transportonin lëndë narkotike.
Në aksin rrugor Milot-Lezhë, shërbimet e policisë konstatuan një mjet të dyshuar për transportim të lëndëve narkotike dhe i kanë bërë shenjë të ndalonte, por drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të policisë dhe është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.
Drejtuesi i automjetit me inicialet K.K. braktisi mjetin në një servis të në fshatin Tresh, Lezhë dhe u largua.
Gjatë kontrollit të automjetit tip “Golf”, policia gjeti dhe sekuestroi 21 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa.
Po gjatë operacionit, policia bllokoi edhe një automjet tjetër. Nga hetimet paraprake rezultoi se shtetasit N.T. 32 vjeç dhe Z. M.30 vjeç, ishin bashkautorë me shtetasin K. K. dhe i paraprinin rrugën për ta njoftuar atë në rast se do konstatonin pika kontrolli të policisë. Të dy këta shtetas u arrestuan në flagrancë.
Tv Klan