Jurgis Çyrbja, ish-deputeti i PS deri para pak ditësh, u arrestua së fundmi nga SPAK pasi i jepte grupeve kriminale informacione sekrete.

Në emisionin Opinion në Tv Klan, gazetarja Klodiana Lala ka treguar një tjetër rast episod, përveç atij të të kërkuarit ndërkombëtar Altin Hajri, se si Jurgis Çyrbja i kishte dhënë informacione një grupi kriminal në Durrës.

Gazetarja Lala, duke iu referuar dosjes së SPAK, deklaroi se bëhet fjalë për një grup të fuqishëm kriminal në Durrës, që javët e fundit ka patur një aksion për arrestimin e kreut të këtij grupi, por që nuk ka mundur. Megjithatë, i gjetën celularin e harruar mbi tavolinë.

Klodiana Lala: Informonte një grup për të cilin nuk është folur thuajse fare. Është një grup thuajse i panjohur për publikun shqiptar, por në këndvështrimin tim është ndër grupet më të rrezikshme që ka vepruar në Durrës, grupi i Kreshnik Budllës Farrukut. Klani kriminal Farruku konsiderohet për momentin një ndër klanet më të fuqishme në qytetin e Durrësit, në zonën e Manzës. Kreshnik Budlla Farruku në atë kohë akuzohej dhe kërkohej nga autoritetet italiane.

Blendi Fevziu: Si i merrte këto dokumente Çyrbja?

Klodiana Lala: Së pari ishte në Komisionin e Sigurisë Kombëtare se ishte deputet, shkojnë dokumente nga të gjitha llojet. Të tjerat i merrte nga Policia e Shtetit dhe njerëz të drejtësisë. Kreshnik Budlla Farruku nuk u arrestua në atë kohë. Më pas, pati një ndalim dhe lirim nga ana e drejtësisë shqiptare, shkoi në arrest shtëpie. Para 3 javësh u bë një tjetër aksion i SPAK për arrestimin e Kreshnik Budllës Farrukut. Në momentin që ka ndërhyrë skuadra operacionale për ta arrestuar Kreshnik Budlla Farrukun, nuk e kanë gjetur aty, kanë gjetur vetëm darkën e shtruar, kanë qenë 15-20 veta në atë darkë. Kreshnik Budlla është larguar nga vila e tij luksozë në Manzë, por ka lënë celularin të hapur aty. Nisur nga kjo indicie dhe janë zbërthyer të gjitha kontaktet, më pas SPAK ka kërkuar me urgjencë informacion te autoritetet franceze për të identifikuar edhe personat të cilët janë të përfshirë në këtë gjë. Me këtë rastin e fundit SPAK ka vetëm 1 javë që merret.

/tvklan.al