Gjykata e Posaçme ka lënë në burg ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja. E njëjta masë sigurie u konfirmua edhe për Ahmet Mashën.
Gjatë seancës që u zhvillua këtë të martë, avokatët e Çyrbjes kërkuan kohë që të njihen me dosjen. Ata pretenduan se klienti i tyre nuk e ka përdorur asnjëherë aplikacionin Sky ECC. Nga ana tjetër, vetë Çyrbja nuk ka dhënë asnjë shpjegim para togave të zeza.
Kujtojmë se ish-deputeti i PS-së në qarkun e Durrësit u arrestua me urdhër të SPAK pasditen e së dielës. Prokuroria e Posaçme njoftoi se gjatë ushtrimit të detyrës së tij si deputet, Çyrbja i ka ofruar favorizime të shumëkërkuarit të drejtësisë Altin Hajri. Ky i fundit në këmbim i siguronte vota për t’u zgjedhur deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Një tjetër akuzë ndaj tij është edhe nxjerrja e sekretit hetimor. Për këtë, ai ka bashkëpunuar me Ahmet Mashën. Ata kanë dekonspiruar të paktën 7 operacione te policisë për arrestimin e disa të kërkuarve./tvklan.al