Arben Çuko, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe sëfundmi ish-Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve u vu në pranga nga policia pasditen e kësaj të diele me akuzën e korrupsionit pasiv.
Para se ta arrestonin prokurorët kishin siguruar një vendim nga Gjykata e Krimeve të Rënda për urdhër arrestin për ish-Drejtorin e Burgjeve, Arben Çukon.
Çuko dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Burgjeve, thuhet në njoftimin e policisë që u konfirmua pak minuta më pas nga Etilda Gjonaj.
Ministrja tha se kishte kërkuar shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çukos për keqmenaxhim të patolerueshëm dhe dyshime të forta për korrupsion që çuan në një hetim të thelluar administrativ.
Gjonaj konfirmoi se i kishte dërguar Prokurorisë të gjitha materialet e konstatuara nga auditivi i brendshëm si shkelje të kryera në Drejtorinë e Burgjeve.
Shkarkimi i Çukos u firmos me datën 3 Shtator nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, në vend të ish-deputetit socialist që qëndroi në detyrë rreth një vit u emërua ish-kryebashkiaku i Sarandës, Stefan Çipa.
Ndërkohë burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Çuko dyshohet se ka dhënë leje për të dënuarit përkundrejt ryshfetit. Çuko është zyrtari i dytë i Drejtorisë së Burgjeve që akuzohet për korrupsion në kaq pak kohë. Një proces i gjatë u zhvillua ndaj ish-Drejtorit të Burgjeve, Artur Zoto, i cili u arrestua në Maj të këtij viti. Zoto u dënua nga Gjykata e Krimeve të rënda me 5 vite burg, por Apeli e shpalli të pafajshëm.
Tv Klan