Këto janë momentet e prangosjes së disa personave të përfshirë në trafik droge, në operacionin VOL-VO4 që angazhoi 1500 forca policore. 27 të arrestuarit dhe disa të tjerë të shpallur në kërkim janë pjesë e katër grupeve kriminale që vepronin në 12 qytete të vendit nga veriu në jug.
“Forcat policore, RENEA, FNSH, ato operacionale në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë kanë ushtruar kontrolle në qytetet Shkodër, Has, Lezhë, Shijak, Elbasan, Durrës, Fier, Vlorë, Tiranë, Patos, Sarandë dhe Delvinë”.
Hetimet e Prokurorisë të nisura prej 2016-tës, kanë zbuluar se të 4 grupet ndërvepronin me njeri – tjetrin edhe punonin të pavarur.
Fillimisht u zbulua një grup që operonte në prodhimin dhe trafikun e heroinës në zonën e Shijakut.
Ky grup dyshohet se me ndihmën e një biznesmeni me banim në Tiranë, kishte ngritur laboratorin e heroinës që u zbulua në fshatin Brenog të Hasit, ku u gjetën 182.5 kilogramë morfinë.
Në Has u arrestuan 5 persona, ndërsa u shpallën në kërkim 2 shtetas turq, 1 shqiptar nga Kosova dhe biznesmeni banues në Tiranë.
Burime nga policia bëjnë me dije se për llogari të këtij grupi, droga transportohej drejt plazhit të Semanit në Fier dhe të Shëngjinit në Lezhë, për t’u trafikuar drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Në të dy qytetet u goditën dy grupe të tjera.
Grupi i katërt vepronte në Delvinë e Sarandë, ku u arrestua Petro Kuçi, i afërm i Klemend Balilit dhe disa persona të tjerë, por operacioni mësohet se nuk ka pasur në fokus vetë Balilin.
Në Sarandë, në Tiranë dhe në Lushnje u arrestuan edhe 3 punonjës policie që bashkëpunonin me këto grupe kriminale.
“Në kuadër të këtij mega operacioni, ku u goditën këto 4 grupe kriminale, është zbuluar edhe implikimi i 3 punonjësve të Policisë së Shtetit. Ata akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufijve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatës kriminale: Ardit Gjyriqi nga Tirana, Jasin Abdul nga Saranda dhe Bledar Koçi nga Lushnja”.
Ishin përgjimet për drogën që zbuluan përfshirjen në veprimtari kriminale të dy ish – deputetëve të Partisë Socialiste, edhe ata të arrestuar.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Arben Çuko, ish –drejtor i bugjeve, për llogari të grupit të Shijakut ka kryer transferimin e një të dënuari nga një burg në një burg tjetër.
Ndërsa ish – deputeti Arben Ndoka ka dalë në përgjimet duke biseduar po me anetarë të këtij grupi për përvetësimin me anë të falsifikimit të dokumenteve të disa pronave në Lezhë. Mes të arrestuarve është edhe vëllai dhe nipërit e tij, të dyshuar se trafikonin heroinë nëpërmjet portit të Shëngjinit.
Policia mësohet se ka kryer kontrolle në 100 banesa, përfshirë në shtëpinë e Lulzim Berishës, pas dyshimeve se mund të fshihej drogë, por nuk ka pasur urdhër-arresti për të.
Uniformat blu kanë siguruar informacion se Berisha ishte larguar 2 javë më parë jashtë vendit përmes aeroportit të Prishtinës, por kishte dyshime se ai bashkëpunonte me grupet kriminale për trafikun e heroinës.
Operacioni është koduar me emrin VOL-VO 4, për shkak se anëtarët e një grupi lëviznin me mjete tip Volvo. Dyshohet se në këtë aktivitet ka edhe persona të tjerë të përfshirë, të cilët mësohet se janë nën hetim.
Tv Klan