Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga njërin nga pronarët e skafit që shkaktoi të paktën 20 viktima, trupat e të cilëve vazhdojnë të kërkohen në det. Tragjedia që mban prej 10 ditësh në ankth disa familje vlonjate, duket se tashmë do të ketë edhe një përgjegjës ligjor dhe ky është pronari i skafit, një shtetas 36 vjeçar nga Velipoja me emrin Nikolin Bregna.

Ndërkohë policia e shtetit fqinj ka gjetur në brigjet në afërsi të Lecces, deri tani tre trupa të mbyturish, njëri prej tyre një foshnje disa muajsh. Në Vlorë, familjet e dy të rinjve i janë drejtuar policisë me shqetësimin, se prej ditësh nuk kanë asnjë lajm për dy djemtë e tyre, që drejtonin një skaf me klandestinë. Por pas të dhënave të mbledhura nga policia italiane rezulton se skafi me klandestinë kurd, por dhe shqiptarë është blerë në Mal të Zi nga një shtetas shqiptar.

Puna e drejtorive të policisë së Vlorës dhe të Shkodrës, bëri të mundur gjetjen e pronarit të skafit, i cili akuzohet për organizim të trafiqeve klandestine me pasojë vdekjen. Shtetasi Nikolin Bregna kishte blerë skafin me 40 vende dhe me dy motorë me nga 250 kuaj/fuqi, për një shumë prej 45 mijë eurosh.

Meqenëse policia ushtronte kontrolle të vazhdueshme në brigjet e Vlorës, tashmë klandestinët po niseshin nga brigjet në veri të vendit. Por rasti fatal duket se do të vërë edhe një herë në alarm policitë e dy vendeve për të kontrolluar trafikimin nëpërmjet detit./tvklan.al