Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve arrestoi në flagrancë punonjësin e policisë së rolit bazë të I.E.V.P-së Fushë Krujë, B.M, i datëlindjes 26.02.1993, lindur dhe banues në fshatin Luz Krujë.
Në një njoftim për përcjellë për mediat nga Ministria e Drejtësisë, thuhet se “arrestimi i këtij punonjësi u bë pasi në datë 09.02.2021 rreth orës 07:30 gjatë kontrollit të ushtruar për të hyrë në regjimin e brendshëm këtij punonjësi iu gjetën e bllokuan një sasi prej 30.8 gramë lëndë narkotike Canabis Sattiva, lëndë narkotike të fshehur në trup”.
“Kapja në flagrancë e këtij punonjësi u bë nga SH.K.B.B-ja në bashkëpunim me I.E.V.P-në Fushë Krujë. Kontrolli i imtësishëm i këtij punonjësi dhe kapja në flagrancë u bë pas indicieve dhe informacioneve që disponoheshin që më parë nga Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve se ky punonjës policie merrej me aktivitet të kundraligjshëm si futja e lëndëve narkotike në regjimin e brendshëm të I.E.V.P – së Fushë Krujë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë nga kontrolli në banesën e 28-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan edhe një sasi tjetër prej 17. 92 gramë lëndë narkotike Canabis Sativa.
Nga ana e SHKBB-së po vazhdon kryerja e veprimeve hetimore për përfshirjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje./tvklan.al