Në të dy anët e kufirit, në Gaza dhe në Izrael, lajmin për arritjen e armëpushimit që do t’i japë fund luftës 15 mujore e pritën me lot gëzimi.

Palestinezët dolën në rrugë duke brohoritur sapo u përhap lajmi i armëpushimit. Në Tel Aviv ata që festuan ishin familjarët dhe të afërmit e pengjeve që mbahen ende prej Hamasit.

I pari që lajmëroi armëpushimin ishte presidenti i zgjedhur i ShBA-së, Donald Trump.

“Jam i emocionuar që pengjet amerikanë dhe izraelitë do të kthehen në shtëpi për t’u ribashkuar me familjet dhe të dashurit e tyre. Ky është vetëm fillimi i gjërave të mëdha që do të vijnë për Amerikën, dhe në të vërtetë, për Botën!”

Nga Shtëpia e Bardhë foli presidenti Joe Biden që konfirmoi arritjen e marrëveshjes së shumëpritur.

“Marrëveshja përfshin një armëpushim të plotë dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza dhe lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtur nga Hamasi. Izraeli do të lirojë të burgosurit palestinezë në këmbim.”

Arritjen e marrëveshjes e konfirmoi në një deklaratë të posaçme në Doha edhe kryeministri i Katarit Sheikh Mohammed Bin Al Thani i cili duke dhënë detaje të saj bëri të ditur se armëpushimi do të hyjë në fuqi të dielën e 19 Janari.

Ai sqaroi se marrëveshja përshkruan një fazë fillestare gjashtë-javore të armëpushimit dhe përfshin tërheqjen graduale të forcave izraelite nga Gaza dhe lirimin e 33 pengjeve të mbajtura nga Hamasi në këmbim të të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli.

Faza e parë përfshin gjithashtu intensifikimin e hyrjes së ndihmave humanitare si dhe rehabilitimin e spitaleve, qendrave shëndetësore dhe furrave të bukës në Gaza.

Kryeministri i Katarit theksoi gjithashtu se sa i përket detajeve të fazës së dytë dhe të tretë që do të sjellin një armëpushim të përhershëm, ato do të përcaktohen gjatë zbatimit të fazës së parë.

Marrëveshja e armëpushimit vjen pas 15 muajsh konflikti që ka vrarë dhjetëra mijëra palestinezë dhe ka ndezur tensionet në të gjithë Lindjen e Mesme.

Tv Klan