Ditën e sotme në emisionin Rudina në Tv Klan është folur për lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të kompozitorit të shquar Avni Mula. Ai mbylli sytë përgjithmonë mbrëmjen e djeshme në moshën 92-vjeçare. Lajmin e humbjes e ka dhënë e bija, sopranoja e njohur me famë botërore, Inva Mula. Sot paradite u kryen edhe homazhet në hollin e Universiteteve të Arteve.
Artisti i Popullit dhe Nderi i Kombit, Avni Mula, ishte një nga figurat më të rëndësishme të historisë së teatrit operistik shqiptar. Ai do të lërë pas një thesar të çmuar që do të trashëgohet ndër breza.
Në për të folur për kompozitorin, në studio kanë qenë të ftuar dirigjenti Zhani Ciko, Irma Libohova dhe Osman Mula, kompozitor ( nip i kompozitorit Avni Mula), ndërsa në një lidhje me Skype ka qenë pianisti dhe kantautori Genc Tukiçi dhe Mirela Kumbaro ish-Ministre e Kulturës.
Zhani Ciko: Ishte nje artist i vokalit, por që ishte dhe një aktor i përsosur. Ishte një baritone dramatik, por shpirtin e tij krijues dhe me këto tipare të interpretimit ai dinte t’i përshtatej shumë roleve baritonale. Ai ishte një figero i nivelit jo thjesht kombëtar, por një figero brilant, i jashtëzakonshëm .
Mirela Kumbaro: Unë e ndjej veten me shumë fat dhe shumë e privilegjuar që isha pjesëtare e rrethit të miqëve të Invës dhe të Adelinës me të cilat në një farë mënyre edhe jam rritur. Isha brezi që jam rritur me këngët e Avni Mulës kështu që Avniu sado që moshë të madhe nuk e kurseu zërin, nuk e kurseu emocionin dhe besoj që ishte një dhuratë shumë e bukur që vajzat dhe miqtë i bënë në vitin e tij të 90-të. Me thënë të vërtetën nuk më dukej që pas 2 vitesh do ikte. Disa njerëz na duket sikur do jenë të përjetshëm. Ai është një markë e jashtëzakonshme e muzikës, e kulturës por edhe të disa brezave të cilët kanë lindur, janë rritur dhe do ikin nga kjo botë duke lënë trashëgim “Valsin e Lumturisë”.
Irma Libohova: Unë Avniun e kam njohur si babin e Invës në fillim sepse kam rrugëtuar së bashku me Invën në Pallatin e Pionerëve, kjo ka qenë njohja e parë. Me anëtarë të familjes Mula unë kam udhëtuar, më vonë kam udhëtuar me Adelën, më pas unë u bëra pjesë e festivaleve dhe Avniu më jepte gjithë ato këngë të bukura, por mua më dukeshin të vështira, thosha gjithmonë që ky është artileri e rëndë. Në festival kujtoj që ka qenë një artist me autoritet dhe shumë popullor, i mirësjellshëm.
Osman Mula: Është një paketë artistike e mrekullueshme e cila solli në muzikën shqiptare shumë. Një interpretim të mrekullueshëm, ishte mjeshtër i trajtimit të figurës. Ishte një kompozitor i mrekullueshëm i cili shkruajti opër, operet të mrekullueshme. Ai kishte mbaruar në Moskë dhe diploma e tij, ka qenë një diplomë ndryshe, ai ka pasur një vulë plus si një student që ka mbaruar shkëlqyer.
Genc Tukiçi: E konsideroj si pjesëtar i rëndësishëm i familjes sepse ka qenë në çdo moment gëzimi apo hidhërimi. Unë i thërras Axha Avni, nuk i kam thirrur asnjëherë Avni Mula. Kur babai im u largua nga jeta, ishte Axha Avni ai që i falenderoi të gjithë njerëzit dhe mori rolin drejtues të familjes sonë dhe më mungon që nuk isha pjesë e në lamtumirën e fundit sepse jam në Paris, por i shkruajta dje Invës që këtë borxh që ja kam Axha Avniut do ia laj, gjithë jetën time do luaj muzikën e tij. Kurse në anën muzikore, ai është një këngëtar gjigand, një rast i rrallë që nuk e di nëse ka në historinë e muzikës një person që ka një dubël karrierë, jo vetëm një bariton, por dhe një interpret i shkëlqyer. /tvklan.al