Asnjë gjurmë e 3 vjeçarit prej më shumë se 5 ditësh tashmë. Policia e Durrësit njofton se janë kryer kontrolle në bashkëpunim me blutë e Kukësit, në zonën e këtij qyteti, por edhe në Has. Megjithatë ende nuk dihet vendndodhja e të miturit.
Mësohet se është ndaluar Rexhep Gjuni, gjyshi i fëmijës si dhe kunati i tij. Ndërkohë janë shpallur në kërkim gjyshja 57 vjeçare dhe vëllai tjetër i saj.
Kujtojmë se ishte nëna e djalit, ajo e cila denoncoi rastin. E reja tha se ua kishte lënë djalin vjehrrëve si çdo fundjavë, për ta mbajtur për disa orë. Kjo pasi që prej vdekjes së bashkëshortit të saj, ata jetonin të ndarë. “Më thanë nuk ta sjellim më”, tha e përlotur nëna e 3 vjeçarit në prononcimin e saj për mediat. Aktualisht të gjitha dyshimet për humbjen e tij janë mbi gjyshërit e të miturit. (Lexo më shumë)
“Në vijim të punës që po kryhet nga Policia, me qëllim gjetjen e 3-vjeçarit që i është marrë nënës së tij, më datë 13.04.2024, dhe që dyshohet se po mbahet në mënyrë të padrejtë, nga gjyshërit e tij, si dhe me qëllim individualizimin e përgjegjësisë penale për këtë rast, ju informojmë se: Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kanë kryer kontrolle në disa banesa të të afërmve të gjyshes së 3-vjeçarit, në Kukës dhe në Has, ku kishte indicie se mund të mbahej i mituri.
Gjithashtu, është bërë ndalimi i shtetasve R. Gj., 60 vjeç, gjyshi i 3-vjeçarit, banues në Durrës dhe A. S., 49 vjeç, vëllai i gjyshes së 3-vjeçarit, banues në Has. Më tej, janë shpallur në kërkim shtetasit B. Gj., 57 vjeçe, gjyshja e 3-vjeçarit, banuese në Durrës dhe F. S., 43 vjeç, vëllai tjetër i 57-vjeçares, banues në Has. Policia e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon pa ndërprerje kërkimet për gjetjen e 3-vjeçarit, për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, për individualizimin e përgjegjësisë penale të këtyre 4 shtetasve, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjsisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast”, thotë Policia./tvklan.al