Edi Rama: “Ne i japim kryeministrit 30 ditë afat duke e harruar një herë e mirë projektin famëkeq qeveritar të ligjit për prokurorinë dhe duke sjellë e miratuar në kuvend një ligj të ri për organin e akuzës që të ketë konsensusin e plotë të vetë prokurorisë e të të gjithë aktorëve të tjerë të sistemit të drejtësisë.”
Për mazhorancën ky ultimatum i kreut të selisë rozë është i papranueshëm. Sipas kryetarit të grupit të ligjvënësve demokratë, Astrit Patozi, nga ana e mazhorancës nuk ka munguar vullneti për të kaluar këtë ligj si dhe ligje të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi me konsensusin e opozitës, por pretendimet e Ramës ai i sheh si të pabaza.
Astrit Patozi: “Të thuash që për 30 ditë duhet të bëhet një ligj i ri nga e para dhe ky ligj duhet të ketë patjetër konsensusin e prokurorisë apo ndonjë organi tjetër të sistemit të drejtësisë do të thotë që të kesh një koncept shumë anakronik do të thoja për funksionimin e shtetit. Është njësoj si të thuash që ligjin e kontrollit të shtetit duhet ta bëjë vetë kontrolli i shtetit, ligjin e pushtetit lokal duhet ta bëjë vetë pushteti lokal dhe të gjithë institucionet e tjera me radhë, ndërkohë që atributet ligjvënëse i ka dhe do t’i ketë sipas kushtetutës vetëm kuvendi i Shqipërisë”.
Sipas Patozit mazhoranca është e gatshme që drafti i hartuar nga Ministria e Drejtësisë për ligjin e ri të prokurorisë t’i nënshtrohet debatit pasi të vijë në kuvend, debat ku të përfshihen dhe vetë ekspertët e organit të akuzës.
Astrit Patozi: “Kryerjen absolute është që ne të gjitha shtyllat e reformës për drejtësi t’i kalojmë në bashkëpunim me opozitën dhe kjo mbetet një qëndrim i palëkundur i Partisë Demokratike dhe unë besoj dhe shpresoj që opozita apo vetë zoti Rama do dalë nga pozicionet refraktare siç është ky ultimatumi i fundit”./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka