Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka deklaruar gjatë një turi në jug të vendit se pas anëtarësimit në NATO, sfida e radhë është integrimi në Bashkimin Evropian. Puna e kësaj qeverie në këto katër vjet tha ai është e prekshme nga të gjithë. Janë rritur pensionet, pagat e infermierëve dhe arsimtareve, janë ulur taksat është investuar në infrastrukturë rrugore si dhe i është shpallur luftë korrupsionit.
Në takimin që pati më banorë të komunave Vllahi, Armen dhe Bashkinë e Selenicës në qarkun e Vlorës ai nuk la pa shigjetuar edhe të ashtuquajturën “politikë të re” të Edi Ramës të cilën e konsideroi si një xhaketë të kthyer mbrapsht që nuk u ofron asgjë qytetarëve shqiptar.
Astrit Patozi: “Kemi një kryetar bashkie i cili flet gjoja për korrupsionin, të cilit i pëlqen të flasë për Gërdecin dhe ta shfrytëzojë atë për të fituar kapital politik. Por a e keni vënë re që nuk e përmend kurrë emrin e Delijorgjit dhe e dini pse? Sepse Mihal Delijorgji, biznesmeni qe gjendet sot pas hekurave si një ndër përgjegjësit për tragjedinë e tmerrshme të Gërdecit, është në fakt përfituesi më i madh i lejeve të ndërtimit, është ortaku i kryetarit të bashkisë së Tiranës, i kryetarit të PS.”
Patozi shtoi më tej se duke parë arritjet dhe investimet e bërë nga PD-ja ne kemi të drejtë të kërkojmë një mandat të dytë qeverisës për të çuar përpara të gjitha projektet e nisura në interes të shqiptarëve./tvklan.al
Gazetar: Edian Gjoni