I plagosur në spital, autorët mbeten mister
Agron Puka shoqëroi si çdo ditë fëmijët në shkollën e fshatit Rrilë të Lezhës, por sapo u nda prej tyre rrugën ia preu një automjet Audi i bardhë. Prej tij zbritën 3 persona përveç drejtuesit.
Në drejtim të 54-vjeçarit u derdh një breshëri plumbash kallashnikovi. Fatmirësisht Agron Puka ka marrë vetëm 2 prej plumbave, njërin në krah dhe tjetrin në shpatull dhe policia lokale thotë se ai është jashtë rrezikut për jetën në spitalin rajonal të Lezhës.
Në vendin e ngjarjes shkuan forca të shumta të policisë, të cilat kanë ngritur postblloqe në zonë dhe po bëjnë krehjen e saj me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ngjarja ka krijuar frikë edhe tek nxënësit dhe mësuesit e shkollës 9-vjeçare të cilët nuk kanë zhvilluar mësim këtë të mërkurë.
Agron Puka nuk ka precedentë penalë dhe se aktiviteti i tij është një fermë blegtorale. Burime nga policia lokale thanë se pista kryesore e hetimeve është një konflikt që ka ndodhur pak ditë më parë në qytetin e Lezhës.
I plagosuri Agron Puka është konfliktuar me një person tjetër i cili është goditur me sende të forta.
Tv Klan