Për herë të parë ish-Zonja e Parë e SHBA-së Melania Trump ka folur për tentativat për vrasjen e bashkëshortit të saj dhe për zv/presidenten amerikane Kamala Harris.
Në intervistën e realizuar nga prezantuesja e “Fox & Friends” Ainsley Earhardt, ajo e quajti një mrekulli që ish-presidenti amerikan Donald Trump arriti të shpëtonte.
“Unë isha në New York City në fakt dhe e pashë në televizor. Shërbimi Sekret ishte i mrekullueshëm. Djemtë që ishin me të, ata ishin fantastikë dhe mendoj se të dyja ngjarjet, ishin vërtetë mrekulli. Kur kujton 13 korrikun ishte realisht një mrekulli, sepse Donald Trump mund edhe mos të ishte me ne sot”.
Ish-Zonja e Parë akuzoi demokratët se po ushqejnë një atmosferë toksike. Sipas saj të gjithë këta njerëz duan t’i bëjnë dëm ish-presidentit amerikan dhe kjo gjë duhet të ndalet.
E pyetur se çfarë mendonte për Kamala Harris, Melania Trump tha se politikat e gabuara të kundërshtarit të bashkëshortit flasin vetë.
“Vendi po vuan. Njerëzit nuk janë në gjendje të blejnë gjërat e zakonshme për familjet e tyre. Ne kemi luftëra në mbarë botën. Ushtarët po vdesin. Në kufi njerëzit po humbin jeten nën drejtimin e kësaj administrate për shkak të udhëheqjes së dobët, ky kufi i hapur është edhe i rrezikshëm, po vret rininë tonë”.
Ndërkohë autoritetet federale po hetojnë tentativat për vrasje që synojnë Trump në fushën e tij të golfit në Florida në mes të shtatorit dhe në një tubim në Pensilvani në korrik.
Klan News