Atentat ndaj dy shqiptarëve në Greqi. Si pasojë e të shtënave, një ka mbetur i vrarë në vend, ndërsa një tjetër i plagosur rëndë me dy plumba në kokë e bark.
Ngjarja ka ndodhur jashtë lokalit në pronësi të viktimës, në periferi të Athinës në zonën e quajtur Thrakomakedones.
Viktima Irakli Davella 45 vjeç, me kombësi shqiptare dhe shtetësi greke ka qenë së bashku në lokal me mikun e tij shqiptar Edi Lolo 46 vjeç. Irakli Davella ishte 45 vjeç, lindur në fshatin Mesopotam të Bashkisë së Finiqit në Sarandë, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze.
Ndërsa Edi Lolo, sipas mediave greke, kishte mbërritur në shtetin fqinj nga Dubai, pak ditë më parë, pasi jetonte mes Athinës dhe Dubait.
Mësohet se autorët që kishin mirëmenduar atentatin kanë qëlluar nga një automjet i bardhë, makinë e cila ishte vjedhur këtë të dielë herët në mëngjes nga një lagje e Athinës.
Viktima Irakli Davella jetonte prej shumë vitesh në Athinë. Ai ishte me precedente penale dhe dyshohet se ka qenë pjesë e një organizate kriminale të fuqishme në Greqi. Kjo organizatë është përfshirë në një luftë të përgjakshme me një grup tjetër kriminal dhe disa prej shokëve të Irakli Davellës, që ishin emra të njohur të botës së krimit, tashmë janë ekzekutuar.
Irakli Davella ka qenë pronar i disa lokaleve në zonën e Peristerit, por ka pasur disa biznese edhe në Sarandë. Mësohet se ai kishte pak kohë që ishte shpërngulur në periferi të Athinës në Thrakomakedones ku kishte hapur një lokal, aty ku edhe u godit nga vrasësit.
Autoritet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur dinamikën dhe identifikuar autorët.
Klan News