33-vjeçari Andrea Bregasi është vënë në pranga në Durrës teksa lëvizte i armatosur me pistoletë. Ai u kap në lagjen nr. 11 të qytetit bregdetar ku iu gjet arma e zjarrit dhe municioni luftarak që posedohej pa leje.
Pas verifikimeve rezultoi se Bregasi ishte në kërkim nga Policia e Tiranës për vrasje të mbetur në tentativë. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur vitin e kaluar në zonën e Don Boskos në Tiranë.
Ai qëlloi me armë në drejtim të makinës që drejtonte Rudolf Zefi, ndërsa pasagjerë ishin dy vëllezërit e tij. Fatmirësisht Zefi shpëtoi pa lëndime dhe denoncoi rastin në polici.
Pas ngjarjes, Bregasi u shpall në kërkim, ku madje policia vendosi 5 mijë euro shpërblim për kapjen e tij.
Andrea Bregasi rezulton të jetë i dënuar më parë për grabitje me armë në një argjendari. Ai është liruar nga burgu në Dhjetorin e 2022 pas përfundimit të dënimit./tvklan.al