Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar për vdekjen e të paraburgosurit Andrea Bregasi. 33-vjeçari ndërroi jetë si pasojë e një arresti kardiak në burgun e Fushë-Krujës rreth orës 14:32.
Më herët ai kishte shfaqur shqetësime dhe rreth orës 14:15 është dërguar me ambulancë në Qendrën Shëndetësore Fushë-Krujë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën të ditur se 33-vjeçari ka qenë përdorues i lëndëve narkotike dhe kishte nisur trajtimin me metadon nga stafi mjekësor i IEVP-ve.
“Sot, më datë 20 Korrik 2024, shtetasi Andrea Bregasi, 33 vjeç, ka ndërruar jetë në Qendrën Shëndetësore Fushë Krujë për shkak të një arresti kardiak, në orën 14:32. I paraburgosuri ka shfaqur shqetësime dhe menjëherë rreth orës 14:15 është dërguar në ambulancë në Qendrën Shëndetësore Fushë-Krujë.
Shtetasi Bregasi ka qenë përdorues i lëndëve narkotike dhe kishte nisur trajtimin me metadon nga stafi mjekësor i IEVP-ve. Ky trajtim synonte të ndihmonte në rehabilitimin e tij dhe në përmirësimin e gjendjes së tij shëndetësore.
Andrea Bregasi është transferuar në IEVP-në Fushë Krujë më datë 12 Korrik 2024.
Shtetasi Andra Bregasi, i biri i Hysen dhe Dhurata, i datëlindjes 09.12.1991, lindur dhe banues në Tiranë. Me gjendje civile beqar, me gjendje gjyqësore i dënuar, me arsim 8 klasë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare. Ky person ndodhet në IEVP Fushë Kruje me statusin e të paraburgosurit.
Me vendimin 454 datë 12.07.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës është dhëne masa e sigurimit “Arrest ne burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” te parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.
Gjithashtu me vendimin 1779 regj. Them datë 14.07.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë është vendosur vazhdimi i masës së sigurimit personal “Arrest me burg” ndaj personit nën hetim Andrea Hysen Bregasi, me vendimin nr. 14 akti datë 05.01.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në të cilën ai akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” të mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” të parashikuar nga nenet 79 gërma “dh” – 22 dhe neni 278/1 i Kodit Penal,” shkruhet në reagimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Kujtojmë se i riu është arrestuar si autor i atentatit të dështuar në “Don Bosko” më 14 Dhjetor të vitit të kaluar.
Ai u kap edhe nga kamerat e sigurisë teksa qëllonte 6 herë me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin po lëvizte Rudolf Zefi bashkë me dy vëllezërit e tij.
Bregasi ra në prangat e policisë më 11 Korrik të këtij viti. Ai u kap në lagjen nr.11 të qytetit bregdetar ku iu gjet arma e zjarrit dhe municioni luftarak që posedohej pa leje.
/tvklan.al