Atentati i sotëm në Shkodër duket se është një ngjarje e paralajmëruar. Gazetarja Emi Kalaja raportoi nga spitali i Shkodrës se denoncimi që bëri Arlind Bushati më 10 Tetor për një atentat ndaj tij është kaluar lehtë nga efektivët e policisë.

Sipas saj ka pasur dëshmitarë dhe pamje sigurie që dy persona të maskuar janë futur në ambientet e një lokali dhe kanë tentuar të qëllojnë Bushatin. Por ky i fundit atë mbrëmje ishte me fat pasi nuk ka funksionuar arma.

“Duhet thënë që ky atentat i ditës së sotme është një ngjarje e paralajmëruar sepse atentati i dështuar ndaj Arlind Bushatit pikërisht në pedonalen e qytetit të Shkodrës në prani të dhjetëra dëshmitarëve. Atë në atë moment e ka shpëtuar plumbi, kështu konsiderohet në Shkodër sepse është qëlluar në drejtim të tij, por nuk ka funksionuar arma. Ndërkohë që blutë e Shkodrës e kanë raportuar thjesht si një denoncim për një person që kishte dyshim se në drejtim të tij ishte drejtuar një armë. Megjithatë është kaluar ky informacion me 4-5 rreshta duke mos i dhënë rëndësinë e duhur dhe tashmë Arlind Bushati po lufton me jetën në spitalin rajonal të Shkodrës. Sa i takon masave shtesë, nuk ka pasur masa shtesë nga policia e Shkodrës. Është bërë thjesht deponimi që e ka deklaruar vetë ai ngjarjen dhe dinamikën. Ekzistojnë edhe pamjet e sigurisë ku tregojnë dy personat e maskuar të cilët futen në ambientet e një lokali publik në Shkodër në një moment ku kishte dhe muzikë live dhe dëshmitarë të shumtë që ngrihen nga tavolinat apo shtrihen barkas të tronditur. Megjithatë nuk u mor asnjë masë. Edhe nga ana e vet Arlind Bushatit ka qenë pakujdesi e tij duke pasur parasysh konfliktet që mund të ketë pasur që ka çuar në atentatin e ditës së sotme”, tha gazetarja.

Ndërkohë sa i përket viktimës Hamza Lici, ai nuk ka precedentë penalë apo të ketë qenë i dyshuar për ngjarje kriminale. Mirëpo fakti që është vëlla i Ibrahim Licit dhe pjesëtar i kësaj familjeje e bën shënjestër për grupet kriminale. Kalaja thotë se Lici ka lëvizur në një zonë që njihet si zonë e grupeve kriminale.

Deri më tani policia nuk e thotë me siguri se kush ka qenë shënjestra e atentatit.

Sa i përket gjendjes së dy të plagosurve, Bushati dhe Bashkim Basha janë shumë rëndë. Bushati ka marrë një plumb në kokë, predha e të cilit ka dalë, duke bërë kështu që i riu të ketë shanse për të shpëtuar.

Kanë qenë të shumtë të afërm që kanë dhuruar gjak për dy të plagosurit ndërkohë që ata i janë nënshtruar disa ndërhyrjeve.

“Këto orë janë kritike për ta”, tha gazetarja Emi Kalaja.

Nga atentati i ditës së sotme në Shkodër humbi jetën Hamza Lici dhe Flutura Basha ndërkohë që u plagosën Arlind Bushati dhe Bashkim Basha. Ky i fundit dhe bashkëshortja e tij e ndjerë thjesht po kalonin në rrugë me motor./tvklan.al