FBI-a deklaroi se po e heton incidenin me ish-presidentin Donald Trump si atentat, i dyti në dy muaj. Sulmi i mbetur në tentativë, ndodhi pak pas orës lokale 14 të së dielës në Florida, pranë rezidencës kryesore të politikanit.
Atentatori, i identifikuar tani si Ryan Wesley Routh 58 vjeç, u qëllua nga Shërbimi Sekret sapo u pikas. Ai u përpoq të largohej, por u ndalua nga policia.
I dyshuari për atentatin e së dielës ndaj ish-presidentit Donald Trump është një aktivist pro-ukrainas.
Sipas CNN-it, Routh, e kaloi pjesën më të madhe të jetës në Karolinën e Veriut përpara se të transferohej në vitin 2018 në Hawaii, ku ai dhe djali i tij kanë një firmë ndërtimi.
Kur nisi lufta e Rusisë në Ukrainë, Routh kërkoi të anëtarësohej në legjionin e huaj të ushtrisë ukrainase, por ai nuk u pranua për shkak të moshës dhe mungesës së eksperiencës ushtarake.
Ai postonte shpesh në mediat sociale për luftën në Ukrainë dhe kishte një faqe interneti ku mblidhte para dhe të rekrutonte vullnetarë afganë për të shkuar në frontin e Ukrainës.
58-vjeçari është një kritik i shpeshtë i Trump-it në mediat sociale. Në korrik Routh postoi në platformën X në lidhje me atentatin, duke inkurajuar Presidentin Joe Biden dhe Zëvendës Presidentin Kamala Harris që të vizitonin të plagosurit.
“Trump nuk do të bëjë kurrë asgjë”, shkroi Routh. Të dhënat federale tregojnë se Routh ka bërë 19 donacione të vogla politike ndaj ActBlue, një komitet politik që mbështet kandidatët demokratë.
Të dhënat tregojnë se Routh ka disa precedentë penalë, duke përfshirë mbajtjen armëmbajtje pa leje. Sipas policisë, ai i armatosur synonte të qëllonte ndaj Trumpit ndërsa luante golf. Fusha u mbyll menjëherë pas të shtënave, ndërsa ish-presidenti u zhvendos në një vend të sigurtë. Ajo ndodhet pak metra larg nga rezidenca e tij kryesore, Mar-a-Lago. Dy çanta shpine, një jelek antiplumb dhe gjithashtu një kamera GoPro u gjetën në vendngjarje. Autoritetet mendojnë se nëse sulmi do të ishte i suksesshëm, ai do të filmohej dhe do të shpërndahej në rrjetet sociale.
Djali i Ryan Wesley Routh thotë se i ati “është një baba i dashur dhe i kujdesshëm, njeri i ndershëm e punëtor”. “Nuk e di se çfarë ka ndodhur në Florida,” u shpreh ai.
Ky incident ndodh dy muaj pas atentatit të 13 korrikut në Pensilvani dhe në prag të zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, ku ai do të përballet me zëvendëspresidenten demokrate Kamala Harris.
Klan News