Fshati Olimpik ka hapur zyrtarisht dyert në veri të Parisit për të mirëpritur atletët e parë që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike, që nisin më 26 Korrik.
Sportistë nga Kolumbia, Tajlanda, Australia dhe Meksika janë banorët e parë.
Zyrtarë nga delegacionet e Australisë, Japonisë, Brazilit, Holandës dhe Belgjikës ishin vendosur më herët në godinat e fshatit olimpik.
Sportistët nga shtetet si SHBA, Zelanda e Re, Brazili dhe Zvicra pritet që të mbërrijnë për fillimin e eventit, ndërsa sipas drejtorit të fshatit olimpik, Laurent Michaud, ka ende punë për të bërë për të finalizuar dhe pastruar hapësirat.
Duke mbuluar 52 hektarë, fshati Olimpik do të strehojë deri në 14,500 persona, duke përfshirë 9,000 atletë, 4,000 punëtorë dhe 1,500 vullnetarë që do të ndihmojnë delegacionet çdo ditë.
Ndërkohë parisienët iu nënshtruan kontrolleve të policisë dhe u detyruan që të bënin devijime rreth rrugëve pranë lumit të Senës nga dita e enjte, pasi masat e larta të sigurisë për qarkullimin në kryeqytet hynë në fuqi me afrimin e nisjes së Lojërave Olimpike.
Policia ka ngritur postblloqe sigurie rreth Lumti të Senës, vendin ku do të zhvillohet ceremonia e hapjes e Olimpiadës dhe lejon që të kalojnë vetëm qytetarët që banojnë në këto zona të kufizuara.
Klan News