Autorët e teksteve shkollorë të arsimit parauniversitar akuzojnë Ministrinë e Arsimit se ka shkelur të drejtat e tyre. Me anën e një peticioni dërguar ministrit Memushi autorët e librave shkollorë shprehin indinjatën e tyre për fillimin e shtypjes së teksteve mësimorë pa u pyetur më parë ata gjë që bie në kundërshtim me ligjin për të drejtën e autorit. Sipas drejtoreshës së Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor zonja Teuta , njëheresh autore e disa teksteve mësimore, ministri Memushi po kërkon që të centralizojë botime e librit shkollor në një kohë kur kërkohet liberalizmi i tyre.

Teuta Mati: “Unë mendoj që është shkelur ligji me dashje, sepse Ministrisë së Arsimit nuk i ka munguar oferta nga ana e Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor, qoftë të vjetër, qoftë të re, për bërjen e këtyre librave, ashtu siç është procedura. Kur bëhet një botim, ai fillon menjëherë me pjesën e parë, me botimin, me autorët, me botuesit, pastaj vjen faza e shtypjes dhe shpërndarjes së librit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës me dashje e ka shkelur këtë ligj dhe ka filluar direkt me shtypjen dhe shpërndarjen e librit.”

Zonja Mati hedh poshtë pretendimet e Ministrisë së Arsimit se i ka blerë Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor kopjet origjinale për të realizuar përmes tyre shumëfishimin dhe shpërdarjen e librave. Asnjë nga drejtuesit e Ministrisë së Arsimit nuk prononcohet për këtë problem, i cili mund të shkaktojë një krizë në arsimin shkollor parauniveristar, pasi mosshtypja e teksteve në kohë do të thotë që në fillim të vitit shkollor rreth 650 mijë nxënës të mos pajisen me libra. /tvklan.al