Ferri që kanë kaluar për një kohë të gjatë drejtuesit e automjeteve në aksin Lushnje-Fier, duket se do të marrë fund. Pas më shumë se dy vjetësh nga fillimi i punimeve, një korësi e kësaj autostrade është hapur për qarkullimin e automjeteve. Rruga e re eviton aksin e vjetër që kalonte në një terren kodrinor dhe mes disa komunave.

Kalimi në korsinë e re që lidh dy qytetet shkurton në 15 minuta distancën mes Lushnjes dhe Fierit. Edhe pse ishte parashikuar që fundi i qershorit shënonte dhe fundin e investimit, firma italiane që ka kryer punimet do dorëzojë brenda këtij afati vetëm segmentin prej 22km, nga Lushnja deri në Mbrostar.

Megjithatë policia e qarkullimit rrugor e ka quajtur të nxituar hapjen e kësaj korsie për shkak të mungesës së sinjalistikës dhe rrezikut që paraqet rrethrrotullimi i Bubullimës. Tabelat me drejtim të detyruar janë vendosur shuam afër urës dhe sipas policisë ato duhet të ishin 500m para kthesës së dyfishtë.

Rrugorët janë paralajmëruar qytetarët që të respektojnë normat e shpejtësisë, të cilat do të jenë më të ulëta për shkak të hapjes vetëm të një korsie, e cila do të jetë me dy kalime./tvklan.al

Gazetare: Anila Sefa