Këto pamje shokuese nuk i përkasin një skenari të sajuar, por asaj që ndodh çdo ditë në autostradën Lushnje-Fier. Mjetet bujqësore shkelin çdo normë të qarkullimit rrugor, madje duke ecur në krahun e kundër të rrugës, aty ku për mjetet përballë është korsia e shpejtësisë.

“Vështirë së nuk bëhet hesapi dhe nuk kemi derma. Në çdo vend ngado të shkosh ndihem shumë i rrezikuar kur dal në xhade.”

“Nga autostrada e re që u bë dhe këtej ne na kanë kufizuar . Domethënë duke ndarë me vija në mes xhadenë dy korsi njëri këtij, njëri këtej ne kalojmë në krah të kundërt tani. Që të kaloj në krahun e djathtë që më takon mua siç u takon shoferëve, unë duhet të veti te klubi i shoferit vetëm atje ka një. Nga këtu te klubi i shoferit mund të jetë 6 km.”

Këto kundravajtje që janë burim i sigurt për aksidente ndodhin pikërisht në praninë e policisë. Punonjës të saj pranojnë se kanë marrë masa administrative.

Rizhvan Sharka: “Nuk duhet të futen këtu zetorat, nuk duhet të futen kafshët me karrocë edhe ne jemi duke i porosit që mos të futen këtu përveç atyre dy vendeve të caktuara. Të gjithë këtyre mjeteve që kalojnë, domethënë motorike kemi marrë masa shumë të forta. Gjobat parashikohen nga 5 mijë lek deri në 20 mijë lekë.”

Por siç shihet të tilla masa janë të pamjaftueshme. Në mungesë të plotë të kulturës qytetare dhe ndoshta duke mos menduar për rrezikun që krijojnë në këtë rrugë, banorët e këtyre zonave jo vetëm që janë të ndërgjegjshëm për shkeljen e rregullave, por i kryejnë ato në mënyrë të përsëritur.

Gazetare: “Policia ju ka ndaluar ndonjëherë”?

“Po deri tani nuk na ka ndaluar se e shikon që s’kemi nga vemi.”

Autostrada Lushnje-Fier është e standardeve bashkëkohore. Sipas projektit për gjatë saj janë ndërtuar disa nën e mbi kalime, ndoshta të pamjaftueshme. Por fenomeni i shkeljes së rregullave të qarkullimit duket se ka të bëjë më shumë me ndërgjegjen e banorëve të fshatrave përgjatë saj, të cilët për të shkurtuar distancën e kanë kthyer dhe këtë autostradë në një rrugë fshati./tvklan.al

Gazetare: Anila Sefa