Përfundimi i autostradës Lushnje-Fier po shoqërohet me ndërtimin e mbikalimeve që do të lidhin zonat e banuara nga të dyja anët e saj, prej disa ditësh në të gjithë gjatësinë e rrugës ka filluar ngritja e armaturave ku do të ndërtohen këto mbikalime. Në 21km të autostradës do të ketë 5 të tilla, përkatësisht në fshatrat Savër, Krutje, Kolonjë, Këmishta edhe Gradishtë.
Edhe pse projekti fillestar nuk parashikonte ndërtimin e tyre, rreziku i aksidenteve dhe numri në rritje i tyre ka bërë që firma kontraktuese të marrë përsipër ndërtimin. Por ndërtimi i mbikalimit të parë në fshatin Savër nuk ka gjetur mirëkuptimin e banorëve të cilët thonë se për të kaluar në anën tjetër të autostradës u duhet një nënkalim.
“Ne kemi tokat matanë, me zitor nuk kemi ku kalojmë, duhet një nënkalim se mbikalimi nuk bën.”
“Problemi nuk qëndron mbikalim apo nënkalim, e gjithë Savra tokën e ka nga rruga matanë, ja ku do kalojnë këto mjete.”
“Do kalojmë do marrim barë, do marrim jonxhë të gjitha prodhimet që kemi në këtë krah, ku do kalojmë ne, në shkallë do të kaloj unë me gomar ose karroca ose zitori.”
“Kjo nuk është zgjidhje, kjo është zgjidhje provizore.”
Punimet për përfundimin e autostradës Lushnje-Fier thuajse kanë përfunduar, të 4 kositë e saj janë asfaltuar, por deri në vendosjen e sinjalistikës vetëm dy prej tyre do të qëndrojnë të hapura për automjetet./tvklan.al