Dy muaj nga hapja e autostradës Rrëshen-Kalimash numri i automjeteve që kanë shfrytëzuar këtë arterie rrugore arrin ne 370 mijë.
Kjo është shifra zyrtare e marre nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve sipas matjeve te kryera mbi trafikun në tunelin Thirrë-Kalimash.
Sipas specialisteve të kësaj drejtorie ky fluks automjetesh rezulton të jetë disa herë më i lartë sesa parashikimet.
Nga përllogaritjet në fazën e projektimit u mendua se trafiku ditor në tunel do të arrinte deri në 4 mijë automjete, ndërkohë që ka pasur ditë kur ky trafik ka qene 3 herë më i lartë duke shkuar në afro 12 mijë automjete.
Nga 25 Qershori, kur edhe u inaugurua autostrada Rrëshen-Kalimash, vepra me madhore e infrastrukturës shqiptare, lëvizja e automjeteve është rritur dita-ditës.
Nga 2700 automjete në ditë gjatë Qershorit, në rreth 6 mijë gjatë korrikut dhe 7400 automjete mesatarisht çdo ditë gjatë muajit aktual.
Fluksi më i lartë vihet re në fundjavë. Shkurtimi i ndjeshëm i kohës së lëvizjes nga Kosova drejt vendit tonë ka bërë që turistët kosovarë t’i drejtohen plazheve shqiptare qoftë edhe për një fundjavë.
Nga ana tjetër kjo autostradë ka ndihmuar edhe në qarkullimin e mallrave, gjatë këtyre dy muajve numri i kamionëve që kanë përshkuar këtë rrugë shkon në mese 12 mijë, apo mesatarisht 230 kamionë në ditë.
Muajin e ardhshëm pritet hapja totale e autostradës në të dy drejtimet, me përjashtim të tunelit të Kalimashit ku kalimi i automjeteve do të vijojë të kryhet i kontrolluar nga ora 7 e mëngjesit deri ne 11 të mbrëmjes./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro