Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Intervistë me Kryetarin e Gjykatës së Kasacionit Avni Shehu.

Avni Shehu:- “Që nga telefonata që është bërë që është biseduar dhe më është deklaruar për përfundimin e mandatit mund të them që kam parashtruar pretendimet e mia Presidentit, Kryeministrit, Kryetarit të Parlamentit, kryetarëve të grupeve parlamentare duke argumentuar që nuk ekziston asnjë shkak juridik për ndërprerjen e mandatit. Njëkohësisht duke argumentuar që ky mandat nuk ka mbaruar. Ky mandat ka fituar në vitin 1995 dhe duhet të përfundojë në plotësimin e 7 vjetëve që nga kjo kohë, pra i bie në vitin 2002. Unë kam arsyetuar që në rastin konkret, mënyra se si po bëhet llogaritja e afatit të mandatit është e gabuar. Mandati i kryetarit dhe mandati i gjyqtarit janë dy mandate krejt të ndryshme. Ky përcaktim nuk është bërë vetëm në dispozitat ligjore, por ky përcaktim del i qartë dhe nga interpretimi në tërësi i gjithë dispozitave qoftë ligjit kushtetues pasi të kanë zgjedhur ashtu dhe mbas Kushtetutës së Re”.

Gazetari:- A shikoni ndonjë ngjashmëri me shkarkimin e paraardhesit tuaj Zef Brozi nga kjo detyrë. Mos po sillet pushteti në të njejtën mënyrë si në rastin e Brozit dhe tani me ju?

Avni Shehu:- “Është për të ardhur keq që pothuajse në këto 7 vjet pothuajse asnjë kryetar që është emeruar nuk ka arritur të mbarojë mandatin e tij. Dhe në këtë drejtim unë mund të them që është një precedent i rrezikshëm që po krijohet në praktikën lidhur me gjyqsorin shqiptar. Tendenca e mospërfilljes ose tendenca për ta dominuar këtë pushtet me element politik është një tendencë e dukshme dhe që mendoj që do të sjellë pasoja të rënda përfunksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe për funksionimin në tërësi të demokracisë”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame