Kryeministrja Giorgia Meloni është e vendosur për të zbatuar deri në fund marrëveshjen për emigrantët të nënshkruar me vendin tonë. Duke folur në një konferencë për shtyp me gazetarët, Meloni tha se Gjykata e drejtësisë e BE-së do të nisë shqyrtimin e çështjes në Shkurt.
“Vendimet e Gjykatës së Lartë i japin të drejtë qeverisë. Gjykata e Kasacionit thotë se i takon qeverisë të përcaktojë se cilat vende janë të sigurta dhe se për pasojë gjyqtari nuk mund të ndalojë mbërritjen e emigrantëve në Shqipëri. Prandaj qendrat në Shqipëri janë gati për të funksionuar. Ne kemi një anije gati për ta nisur në çdo kohë. Fatmirësisht vitin e kaluar numri i emigrantëve që vijnë u ul me 60% dhe ditët e fundit pothuajse janë zhdukur”, tha Giorgia Meloni.
Meloni arriti një marrëveshje me Tiranën vitin e kaluar për të zgjidhur problemin e emigrantëve, duke thënë se skema do të vepronte si një pengesë kundër anijeve me emigrantë që vijnë nga Afrika. Megjithatë, marrëveshja ka hasur në probleme ligjore.
Gjykata e Romës, e cila me vendimet e saj ktheu dy herë anijen Libra duke lënë bosh qendrat e pritjes së emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin, ka kërkuar mendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për vendet e sigurta të origjinës. Më 25 Shkurt Gjykata Evropiane e Drejtësisë pritet të japë një vendim mbi përcaktimin e vendeve të sigurta.
Klan News