Pas lëshimit të një komunikate për mediat nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme përmes së cilës organi i akuzës justifikoi veprimet në lidhje me procedimin penal për çështjen e rrugës Durrës-Kukës.

Avokatët mbrojtës të ministrit Basha dhe Andi Tomas, ka reaguar duke i quajtur ato si shkelje e hapur e kushtetutës.

Përfaqësuesit ligjor Zef Nikaj dhe Genc Gjokutaj, kanë sqaruar në detaje të gjitha abuzimet e prokurorisë në këtë çështje.

Zef Nikaj: “Nga ana e prokurorisë janë marrë zgjatje të njëpasnjëshme të afateve hetimore duke e çuar hetimin në limitet dhe afatet maksimale pra 2 vjeçare. Rast ky i pa precedentë në historinë e drejtësisë shqiptare. Prokuroria e Përgjithshme në shkelje të funksioneve të saj kushtetuese në vend të hetimit të shpejtë dhe objektiv të çështjes, qëllimisht ka zvarritur përfundimin e saj. Kjo zvarritje u vërtetua përfundimisht në rrugën gjyqësore me vendimin e gjykatës së shkallës së parë Tiranë 1495 datë 18/11/2008, për të cilën urdhëroi dhe mbylljen e hetimeve.”

Sipas avokatëve veprimet e prokurorisë kanë prapavijë të qartë politike dhe janë krejtësisht antiligjore.

Zef Nikaj: “Si pasojë çështja në fjalë për shkak të mos ushtrimit të ndjekjes penale në kohë dhe brenda afateve, për motive qartësisht jo ligjore dhe me prapavijë politike, për faj tërësisht të prokurorisë ka dalë jashtë çdo lloj shtrati procedural. E gjetur përpara kësaj situate prokuroria në vrazhdën e saj antiligjore po tenton të mbrojë veprimet e saj thellësisht arbitrare dhe antiligjore.”

Prokuroria sqaroi përmes komunikatës për shtyp se njoftimi i akuzës është akt procedural dhe jo vetëm hetimor, por përfaqësuesit ligjor kanë sqaruar se kodi i procedurës penale parashikon qartë se hetimet përfundojnë me vendim pushimi ose vendim për dërgimin e çështjes në gjykatë.

Zef Nikaj: “Ky vendim pushimi dhe dërgimi i çështjes në gjykatë, duhet të kryhet brenda afateve të hetimit, por një vendim i tillë duhet të merret që paraprakisht të jenë kryer njoftimi i akuzës së shtetasve. Madje të jenë njoftuar ata paraprakisht. Kjo do të thotë, që akti i njoftimit të akuzës duhet patjetër të kryhet brenda afateve të hetimit. Përsa i përket pretendimit që vendimi i gjykatës numër 1495 datë 18/11/2008 nuk i shtrin efektet mbi zotin Lulzim Basha. Ky është një pretendim absurd i organit të prokurorisë, jo logjik dhe jo ligjor. Ky vendim ndalon kategorikisht organin e prokurorisë të kryej çdo veprim hetimor, ose akt-procedural që pasuron dosjen hetimore.”

Avokatët Nikaj dhe Gjokutaj theksuan gjithashtu se veprimet dhe pretendimet antiligjore dhe antikushtetuese të prokurorisë, manifestojnë në mënyrën më skandaloze dhe më të paprecedentë në historinë e drejtësisë shqiptare, e kemi të bëjmë siç u shprehën ata, me një proces të montuar politik./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro