Ne ikëm të fundit nga ceremonia e shembjes së murit në mes të tunelit Thirrë-Kalimash, por në kthim ishim më ndjesitë e një feste të vërtetë dhe përjetime të një copëze të historisë. Vendosëm të ndalonim në dalje të tunelit në luginën e Fanit dhe aty na treguan se të gjithë po festonin.

I pari që takojmë është kryetari i komunës Fan, Gjergj Prenga, i cili na thotë se shumë gjëra do të ndryshojnë për 5 mijë banorët e kësaj zone me kalimin e rrugës së re përmes.

Gjergj Prenga: “Kalimi i rrugës Durrës-Kukës është një akses zhvillimi për gjithë rajonin. Imagjinoje çfarë akses zhvillimi ka për një komunitet të vogël siç është komuna Fan. Përfitimet e drejtpërdrejta janë punësimi që është problematika kryesore në gjithë Shqipërinë. 90% e krahut të punës me të gjitha llojet e zanateve e profileve të punës kanë përfituar duke punësuar në firmën Bektel Enka me një pagë mjaft të mirë.”

Por veç investimeve në këtë zonë ai na tregon se procesi i aplikimit për letërnjoftimet e reja është duke ecur sipas parashikimeve. 1300 banorë i kanë tashmë kartat në duart e tyre. 

Gjergj Prenga: “Deri në këto momente kanë aplikuar 1600 aplikues.”

Drini Zeqo: “Sa banorë ka komuna Fan?”

Gjergj Prenga: “Komuna Fan ka 5 mijë banorë. Nga këta 1307 janë aplikues që vijnë nga listat e ministrisë së brendshme që nuk zotërojnë pasaportë.”

Përpara se të hynim thellë në fshat një nga banorët i cili është punësuar në firmën që ndërton autostradën, na zbulon se jeta e tij ka një tjetër kuptim tani.

Preng Marku: “Unë punoja punë të ndryshme, por me pagesë shumë të vogël. Kurse erdhi shansi si për të gjithë  dhe për mua, ky është një punësim shumë me leverdi me thënë të drejtën. Se këtu do të kishim mbaruar, kjo është mrekulli.”

Tingujt e çiftelisë tërheqin vëmendjen e të gjithëve në fshatin i cili atë ditë diskutonte veç për hapjen e tunelit. Rapsodët me vargjet e tyre kuptimplota na ftojnë të dëgjojmë këngën e tyre.

Shumë banorë të zonës kanë filluar të shohin të ardhmen të lidhur me zhvillimin infrastrukturor. Një ndër ta është dhe Ndreca, i cili kishte vendosur të investonte në turizmin malor, por si ai në këtë zonë kishte me dhjetëra.

Për të arritur në shtëpinë e tij udhëtuam veç 10 minuta. Ndonëse me të arritur mes malesh, ku legjendat rreth e rrotull ishin të shumta, panorama ishte krejt tjetër.

Ndrec Nikolli: “Kjo rrugë nuk bëhet fjalë për rëndësi, një rëndësi e jashtëzakonshme jo vetëm për mua, por për të gjithë krahinën, për të gjithë njerëzit që jetojnë si këtu, si në Kukës dhe si në Kosovë. Kjo është një vepër tepër gjigande.”

Teksa e lëmë së bashku me familjen ti kthehet punës së përditshme, largohemi nga fshati të bindur se jeta e këtyre banorëve do të ndryshojë rrënjësisht. …/tvklan.al

Gazetar: Drini Zeqo