Avokatët amerikanë që mbrojnë biznesmenin Damir Fazlliç në lidhje me akuzat për pastrimin e produkteve të veprës penale, kanë deklaruar në Tiranë se akuzat ndaj klientit të tyre janë të pabaza dhe të motivuara politikisht, të publikuara nga elementë të caktuar të shtypit shqiptar.
Në këtë kontest në një konferencë të posaçme për shtyp, pala mbrojtëse duke shprehur besimin në profesionalizmin e prokurorisë, i kërkoi politikës që të mos ndërhyjë në këtë çështje, duke thënë se interesa të tilla u kanë dhënë shtysa akuzave mediatike.
Edwart D. Ross: “Ne përfaqësojmë Damir Fazlliç në lidhje me çështje të ndryshme biznesi. Zoti Fazlliç ka kërkuar ndihmën tonë për t’iu përgjigjur akuzave abuzive, të pa baza dhe për mendimin tonë të motivuara politikisht, të publikuara nga elementë të caktuar të shtypit shqiptar. Kemi ardhur në Shqipëri për t’i shqyrtuar këto akuza, të cilat zoti Fazlliç i ka marrë me shumë seriozitet. Gjatë 4 ditëve të fundit ne kemi mbledhur dokumentet e nevojshme, kemi intervistuar disa persona dhe jemi takuar me një sërë individësh. Na u dha gjithashtu mundësia për t’u takuar këtu në Tiranë, me prokurorët e caktuar për të hetuar akuzat e publikuara nga media shqiptare. Krijuam mendimin se prokurorët janë të sjellshëm dhe profesionist dhe ata na siguruan se hetimi do të zhvillohet në mënyrë të paanshme, objektive dhe të shpejtë dhe se do të vendoset duke u bazuar vetëm mbi fakte. Kemi besim se prokurorët do të veprojnë me ndershmëri dhe do tu përmbahen detyrimeve profesionale. Besojmë gjithashtu se faktet do të provojnë se akuzat e medias ndaj zotit Fazlliç janë të pabaza dhe se ai do të shfajësohet plotësisht. Shpresojmë që interesat politike që duket se i ka dhënë shtysë akuzave të medias, nuk do të vazhdojnë më të ndërhyjnë në këtë çështje.”
Hetimet e prokurorisë në lidhje me të ashtuquajturën “çështja Fazlliç”, nisën pas akuzave të hedhura në disa media mbi biznesmenin Damir Fazlliç.
Organi i akuzës lëshoi një urdhër-sekuestro, për asetet e kompanive të biznesmenit dhe të dy biznesmenëve të tjerë shqiptarë, por të shtunën me shfuqizimin që i bëri sekuestros së llogarive bankare të kompanive në pronësi të Dionis Teçes dhe Erion Isufit, kunatit të ministrit Basha, Prokuroria e Përgjithshme provoi se ky institucion kishte vepruar pas asnjë provë, por vetëm duke iu referuar shkrimeve në gazeta./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro