Kryetari socialist Edi Rama ka dalë hapur kundër propozimit të kryeministrit Sali Berisha për shtetëzimin e tokave në Porto Romano. Rama e cilësoi pseudopropozim, që synon sipas tij të grabisë para nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë.

Edi Rama: “Domethënë sipas këtij propozimi, ato toka që sekseri i Saliut ja bleu për një copë bukë shqiptarëve hallexhinjë të cilët nuk nxjerrin dot muajin në shtypjen e varfërisë dhe të papunësisë, kryeministri na thotë tani që t’ia blejmë sekserit serb me vlerën e tregut ne, qytetarët e këtij vendi. Jo vetëm e refuzojmë pseudopropozimin e kryeministrit, por i kërkojmë prokurorisë së republikës  dhe kontrollit të shtetit, të hetojnë e të kontrollojnë procesin e kësaj blerje masive trojesh që janë ndarë si tokë bujqësore dhe që sipas ligjeve të kësaj republike nuk i shitet një të huaji.”

Me një gjuhë të ashpër nisur dhe nga reagimet më të fundit të ndërkombëtarëve, kryetari socialist ka akuzuar kryeministrin për kërcënim të institucioneve të drejtësisë.

Deklarimit të tij Rama i shtoi dhe kërkesën për dorëheqje të kryetarit të qeverisë.

Edi Rama: “Në emër të tyre të shqiptarëve e shqiptareve ia rikërkojë sot dorëheqjen kryeministrit të Shqipërisë. Për shkak të tij, qytetarët e qytetaret e këtij vendi po vuajnë çdo ditë e më shumë. Miqtë e partnerët ndërkombëtarë po zhgënjehen edhe njëherë tjetër. Shqipëria po turpërohet sërish.”

Rama ripërsëriti qëndrimin e PS, për të kundërshtuar propozimet antikushtetuese siç dhe i cilësoi. Atë për ngritjen e një komisioni që heton marrëdhëniet mes prokurorisë së përgjithshme me ministrinë e drejtësisë dhe atë të brendshme, si dhe propozimin për hetim ndërkombëtar të çështjes Fazlliç./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi