Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar sekuestron e dy shoqërive me përfaqësues ligjor, Damir Fazlliç, pa u njohur më parë me dokumentin ligjor në zyrën e regjistrimit tregtar.
Një fakt i tillë i konsideruar si absurd nga dy avokatët mbrojtës të biznesmenit Fazlliç, ka vënë në dyshim dhe gjyqtarin e çështjes, Artan Broci, i cili duke iu referuar dokumenteve zyrtarë ka arritur në konkluzionin se një prej dy kompanive me përfaqësues të vetëm ligjor, Damir Fazlliç, që në datën 24 Shtator të këtij viti është shndërruar nga një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, në një shoqëri anonime.
Genc Gjokutaj: “Neve e kundërshtojmë këtë sekuestro në dy drejtime. Në drejtimin e parë ekzistencën e figurës së veprës penale, dispozitën konkrete për të cilën është nën hetim shtetasi Damir Fazlliç. Kërkohet domosdoshmërish ekzistenca e krimit dhe e dyta baza ligjore mbi të cilën zotërinjtë prokurorë e kanë bazuar sekuestron është e gabuar.”
Prokuroria kërkoi bllokimin e pasurive të Fazllic në datat 9 dhe 10 Tetor 2008, 14 ditë pas ndryshimit të përfaqësimit ligjor të Crown Acuizicion, në shoqëri anonime, si një tjetër formë e re organizimi tregtar.
Prokurorët deklaruan se nuk kanë patur dijeni për këtë ndryshim të këtij akti përfaqësimi për një nga shoqëritë e bllokuara dhe i kërkuan kohe gjykatës të njihen me to, një kohë e cila mesa duket do të vazhdojë t’i sjellë si pasojë një dëm ekonomik shtetasit Fazlliç, ndaj të cilit rezulton të mos ketë prova për pastrim parash apo shmangie të detyrimeve ligjore ndaj shtetit./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani