Lajme Arkiva 2003
Avokatët mbrojtës të Arben Grorit reagojnë kundër vendimit që mori Gjykata e Tiranës për të pandehurin. Në një seancë që zgjati pak minuta gjyqtari i çështjes shpalli se kjo gjykatë njeh vendimin e policisë italiane të Milanos për burgimin e përjetshëm të Arben Grorit si autor i vrasjes së shqiptarit Naim Zyberi në një spital të këtij qyteti.
Avokati Vladimir Meçe: Mungon një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Italisë në rastin e njohjes së vendimeve penale të Gjykatës Italiane në Shqipëri apo anasjelltas të Gjykatës Shqiptare në Itali. Pikërisht sepse mungon ratifikimi i Konventës së Hagës të vitit 1970, që bën fjalë për vlerën ndërkombëtare të vendimeve penale. Pikërisht sepse në legjislacionin shqiptar ka paqartësi sidomos në nenin 512 ka paqartësi që lejojnë të abuzohet në drejtim të njohjes së vendimeve penale të gjykatave të huaja në Shqipëri. Ky nuk është një problem që lidhet thjesht me Arben Grorin, ky është një problem parimor që lidhet me pavarësinë e Gjykatës Shqiptare,që lidhet me sovranitetin, me dinjitetin tonë kombëtar dhe me mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptar.
Dosja për këtë çështje kaloi dy herë në gjykatën e Tiranës. Herën e parë ajo refuzoi të bënte njohjen e këtij vendimi për mungesë të bazës ligjore ndërsa me vendim të Gjykatës së Lartë çështja u rishqyrtua dhe u la në fuqi kërkesa e Prokurorisë.
Avokatët mbrojtës të Grorit, të njëjtët që e mbrojë atë edhe në procesin gjyqësor për trafik ndërkombëtar heroine do ti drejtohen për herë të tretë Gjykatës së Apelit dhe atyre të shkallëve më të larta.
Avokati Vladimir Meçe: Ne do të ankimojmë në të gjitha shkallët, nuk do të rreshtim së animuari këtë vendim.
Avokati Meçe ka shprehur rezerva lidhur me respektimin e procedurave ligjore nga prokuroria dhe gjykata edhe për procesin për trafik droge ndaj klientit të tij./tvklan.al