18 vite burg për algjerianin që vrau 23 vjeçarin shqiptar në Ancona të Italisë! Sipas mediave italiane, prokurori Marco Pucilli kërkoi 24 vite heqje lirie për të, por gjykata vendosi 18 e po ashtu një kompensim prej 40 mijë eurosh për prindërit e të riut. Në sallën e gjyqit u soll edhe arma e krimit.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 27 Gusht 2023, ditë kur Klajdi Bitri u vra mizorisht në tentativë për të mbrojtur shokun e tij italian që po bënte sherr me algjerianin. Ky i fundit, Fatah Melloul (28 vjeç) e qëlloi Klajdi Bitrin me shtizë peshkimi në gjoks. Autori u arratis nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar orë më vonë nga policia. Gjithçka nisi me radhën e gjatë të automjeteve në rrugë që u pasua me një sherr verbal mes të rinjve.
Rasti i Klajdit i tronditi të gjithë, për më tepër që babai i tij mes dhimbjes e pamundësisë kërkonte që trupin e pajetë të të birit t’ia sillnin në Lushnje. Klajdi punonte në port për një kompani të ndërtimit të anijeve e kujdesej për vëllain e tij më të vogël, në krahët e të cilit dha frymën e fundit.
/tvklan.al